
E ftuar në podcastin “Zë me Mirën” nga gazetarja Mira Kazhani, Armina Mevlani ndau jo vetëm historinë e saj të dashurisë me Shkëlzen Berishën, por edhe mendimet dhe përvojat personale për shtimin në peshë, komentet në rrjet, ngrirjen e vezëve dhe shëndetin e saj.
Armina rikujtoi dhe një herë se si është njohur me partnerin e saj prej 13 vitesh:
“Ardhja e Shkëlzenit nuk ka qenë kërkim i imi. Kam pasur fat në disa aspekte. Ndoshta e kam manifestuar pa dashje atë që unë dëshiroja. S’kam kërkuar një partner me pozita, emër, famë. Kam thënë: dua një mashkull që të jetë intelektual dhe të rritemi bashkë profesionalisht. Më ka ardhur rastësisht dhe kur unë e kam parë, nuk e kam ditur fare që ai ka qenë Shkëlzeni.”
Pra, njohja mes tyre ka qenë totalisht organike, si nëpër filma romantikë madje:
“E kam parë në lokal, më është dukur shumë simpatik, kemi shkëmbyer shikime, po asnjëherë nuk kam menduar që ishte Shkëlzeni sepse unë nuk e ndiqja politikën fare. Jemi takuar rastësisht pas disa muajsh nga disa miq të përbashkët, jemi prezantuar dhe aty kur më ka thënë emrin, kam bërë lidhjen. Kam qenë 21 vjeç, shumë e re. U bënë 13 vite bashkë.”
Në një pjesë tjetër të intervistës, Armina foli për zhurmën në rrjet pas shtimit në peshë dhe komenteve që lidhnin ndryshimin në trupin e saj me një shtatzëni të mundshme. Ajo vendosi të fliste hapur për vendimin për të ngrirë vezët:
“Kam marrë vendimin që do bëj ngrirjen e vezëve. Jam pro kësaj gjëje sepse unë kam vendosur vetë që pres deri në njëfarë periudhe sepse e kam shijuar shumë jetën. Fëmija është një përgjegjësi shumë e madhe, duhet t’i dedikosh kohë. Unë s’kam qenë asnjëherë e mendimit që të bësh fëmijë dhe ta lësh me dadon apo prindërit, por t’i dedikohesh plotësisht.”
Kur Mira Kazhani e pyeti nëse ky vendim ndikoi edhe në peshë, Armina u shpreh:
“Është ndikues, por jo vetëm, sepse unë kam pasur gjithmonë PCOS (një çrregullim hormonal që ndikon në ciklin menstrual dhe peshën trupore). Unë ndryshoj me javë për shkak të medikamenteve.”
Sikur të mos mjaftonin hormonet, ilaçet dhe gjithë ngarkesa emocionale që sjell një vendim i tillë, rrjeti si gjithmonë ka diçka për të thënë. Por, Armina tregoi dhe një herë se di si t’i japë fund negativitetit me shumë klas, në mënyrën më karakteristike të saj.