
Luani, i njohur si mbreti i vendeve të egra të Afrikës, shumë shpejt mund të zhduket. Në shekullin e 20-të numëroheshin rreth 200.000 luanë në Afrikë (nga 500.000 të periudhës parakoloniale). Tani kanë mbijetuar vetëm 20.000 luanë. Në zona të pambrojtura numri i tyre po pëson një rënie drastike. Ata janë të ekspozuar ndaj helmimit, të shtënave, kurtheve etj.
Sipas raportit të publikuar të hënën nga Proceedings of National Academy of Sciences gjysma e tyre duket se do zhduket në dy dekadat e ardhshme.
Luanët po pakësohen nga humbja e habitatit, humbja e preve nga gjuetarët dhe vrasjet për të mbrojtur kafshët dhe njerëzit e këtyre vendeve. Të gjitha janë pasoja të rritjes në numër të popullatës sub-Sahariane (është rritur në 4 miliardë në fund të shekullit).
Përveç rritjes së popullsisë, paratë janë një sfidë e madhe për mbijetimin e luanëve. “Të mbrosh luanët nuk është e lehtë” thotë Hans Bauer (një nga autorët e raportit dhe specialist i luanëve në Universitetin e Oksfordit). Një vlerësim i fundit tregon se ruajtja e tyre ka një kosto rreth 2000$ për metër katror. Kjo vlerë nuk përfshin vetëm mbrojtjen e luanëve; për ketë duhen mbrojtur dhe mjedisi ku ata jetojnë dhe pretë e tyre. “Pas Luanëve është gjithë ekosistemi”.
Ata janë pjesë e grupit “Big Five” të specieve më të egra që një turist mund të shohë në këto zona. Çështja e gjuetisë pa leje dhe të shfrenuar të elefantëve, rinocerontëve dhe tigrave dominon, ndërkohë që për luanët nuk flitet.
Pavarësisht se në Afrikën Lindore lulëzon turizmi i kafshëve të egra, ka rënie drastike të numrit të luanëve.
Autorët e PNAS rekomandojnë Bashkimin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës që t’i riklasifikojë luanët në këto rajone si “të rrezikuar”.
Në fund të fundit, Afrika pa luanët nuk është më Afrikë.
Burimi: takepart.com
Përshtati: Klarida Bregaj