Nuk të duhet as ta ndjekësh ‘Big Brother’-in për ta ditur që ka një person që fjalë për fjalë lë kokën pas një tjetri aty brenda, aq e qartë është kjo dashuria (obsesive & posesive) e Eglit për Gjestin.
Nëse po vrisje mendjen dhe ti si ne se çfarë e bën këtë vajzë të bëjë gjithë veprimet që bën, ose gjen nga pak veten në absurditetin e përndjekjes që ajo po i bën personit që pëlqen, shpjegimin e mënyrës se si ajo dashuron e jep pikërisht grafiku astrologjik i Eglit.
Shenja e Eglit: Virgjëresha (15 shtator 1997)
Shenja e Hënës: Peshqit
Shenja e Hënës përfaqëson anën emocionale, ndjenjat dhe intuitën e një personi. Ajo dikton marrëdhëniet me njerëzit, si dhe mënyrën se si kujdeset një person për të tjerët.
Karakteristikat:
- Kuptimi i thellë i emocioneve të të gjithëve
Porsi shenja intuitive dhe e ndjeshme e Peshqve, njerëzit me Hënën tek Peshqit lidhen shumë në dashuri me emocionet e partnerëve të tyre dhe ndikohen prej tyre.
Eglin e kemi parë shpesh të preket nga historitë e të gjithë banorëve brenda duke u bërë palë me dhimbjen e tyre.
- Optimizmi më i tepërt seç duhet
Hëna te Peshqit nxjerr në pah natyrën ëndërrimtare të personave, ndonjëherë duke i bërë edhe të shohin botën përmes një lenteje rozë.
Në rastin e Eglit ndoshta nuk ka nevojë për të vendosur lente sepse Gjesti vetëm me rozë vishet, por mbetet fakt që ajo refuzon të shikojë dhe përtej këtyre ngjyrave të tij.
- Naiviteti emocional
Ndonëse vendosja e Hënës te Peshqit shpjegon ndjeshmërinë ndaj emocioneve të të tjerëve, tendenca e këtyre personave është edhe t’i romantizojnë gjërat aq shumë sa rrallë e shohin realitetin siç është.
Nëse s’keni parë momentin kur motra e Eglit gjatë surprizës po i thoshtë troç të luante lojën e saj dhe Egli vazhdonte të përsëriste se Gjesti ishte i mrekullueshëm, shikoni këtë rikrijim pothuajse të paekzagjeruar të asaj që ndodhi:
View this post on Instagram
- Vetëmohimi, besimi i verbër dhe të qenit të hapur me tepri
“Unë s’bëj për Big Brother” tha Egli e dorëzuar tërësisht ndaj ndjenjave që ka për Gjestin. Nëse e kemi gjykuar deri më tani, e dimë se gjithë faji qenka i Hënës te Peshqit tashmë.
- Më bujare seç duhet me simpatinë e pakufijtë ndaj dikujt
Aq herë ia ka palosur rrobat Gjestit Egli dhe aq shumë i rri gati për kërkesat e tij, sa dhe vetë Gjesti s'di të menaxhojë gjithë tepricën e bujarisë.
- Të tjerët përfitojnë dhe rezulton në lëndimin e këtyre personave
Por s’ka problem, të nesërmen në mëngjes e dimë që Egli do të zgjohet sërish e etur për dozën ditore të aromës së Nubit të saj dhe cikli do të ripërsërisë veten për të mijëtën herë.
Shenja e Afërditës: Akrepi
Shenja e Afërditës flet për mënyrën se si shprehen dëshirat, pasionet, ajo që vlerësohet më shumë dhe mënyra e lidhjes dhe përjetimit të kënaqësisë.
Karakteristikat:
- Natyra intensive romantike
S’ka ndonjë problem të jesh një person romantik. T’i dedikosh letrën e dashurisë sate më të madhe një personi që ke njohur në situata anormale dhe është tejet i paqartë me veten e tij nga ana tjetër është…intensive.
- Në romancë shumë të drejtpërdrejtë, direktë dhe të vendosur
Pra mos e gjykoni më Eglin që po luan rolin e mashkullit me gjithë nismat e saj të dëshpëruara për të bërë të sajin Gjestin, dashka gjykuar Afërdita e pozicionuar në Akrep!
- Posesiviteti dhe ndonjëherë xhelozia
Ndoshta dikush mund të justifikohet duke thënë se izolimi pritet ndryshe nga persona të ndryshëm, ama nga gjithë historia e Big-ut shqiptar, rasti i Eglit që ndjek pa reshtur Gjestin derisa ky i fundit t’i hedhë një shikim, qoftë edhe nga bezdia, mbetet i paprecedentë dhe me gjasë unik në llojin e vet edhe në vazhdimësi të këtij spektakli.
- Ekstremiste në romancë
Tani që Afërdita na paralajmëron për ekstremitetin e Eglit, bëjmë mirë të lutemi të gjithë se pikërisht kjo që po na shohin sytë është ekstremi që mund të arrijë kjo vajzë dhe jo ndonjë e pabërë tjetër.
- Çështjet e zemrës merren seriozisht dhe personalisht
Afërmendsh, e kemi kuptuar tani.
- Kontrolluese ndonjëherë
Seriozisht Afërditë në Akrep? Vetëm ndonjëherë thua? Egli mund të të vërtetojë të kundërtën.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.
Artikuj të sugjeruar: