Showbiz dhe TV

Surpriza e Flor Mumajesit: Rikthehet në ‘Kënga Magjike 2015’!

13 Nëntor 2015

Surpriza e Flor Mumajesit: Rikthehet në ‘Kënga Magjike

Kantautori i njohur Flor Mumajesi ka publikuar në llogarinë e tij në Instagram një foto, ku ai shfaqet në studion e "E diela shqiptare" gjatë provave për "Këngën Magjike".Ai shfaqet në këtë foto me këngëtarin Klajdi Haruni, dhe ka shkruar : ‘Kënga Magjike 2015…Jo duet, por në garë me njëri-tjetrin. Të dielën, 15/11/2015’ (foto 2) Ai gjithashtu ka zbuluar titullin e këngës së tij, dhe do të jetë 'Me fjalë të vogla' (foto3) në një foto duke performuar në skenën e 'E diela shqiptare'. Këngëtarja që ka bashkëpunuar disa herë me Florin, Julka, e ka uruar duke shkruar: 'Uau, më në fund! Suksese zemër. Mezi po pres!'. Papritur ai ka zbuluar, atë që e mbante të fshehtë prej kohësh: Pjesëmarrjen e tij si kantautor në këtë edicion.

Flori, i cili sukseset e tij të para dhe emrin e tij e ka ndërtuar në këtë skenë me hit-e si "Fluturimi 3470", "Me sy mbyllur", u largua për të mos u shfaqur për 6 vjet me rradhë në këtë festival si kantautor, pas konkurrimit me hit-in "Playback". Zëra atëherë folën për pakënaqësi të Mumajesit ndaj produksionit të "Kënga Magjike" por as nga kompozitori i ri dhe as nga producenti Ardit Gjebrea, nuk u pohua as u mohua publikisht ndonjë krisje në bashkëpunim.

Për 6 vitet e ardhshme, Flori dhe artistët nën menaxhimin e studios "3Dots" që ai krijoi, u shfaqën në Top Fest. Në Top Fest 7, Flori fitoi çmimin e parë si kompozitor i këngës "Me veten" të Eneda Tarifës dhe më pas vijoi me prezantime të tjera, si kantautor me hit-in "Tallava", si kompozitor/producent i këngës fituese në "Top Fest 8" "Me ty" nga Elvana Gjata, si kompozitor i hit-it "Mamica' ku promovoi dhe këngëtarin Klajdi Haruni apo i një prej hiteve më të mira në Top Fest 9 "Si Shiu" nga Argjentina Ramosaj.

Nëse nuk ishte Flori si kantautor, do të ishte fitues si pjesë e produksionit të "3Dots", ku njëri prej anëtarëve të kësaj "shtëpie", Kledi Bahiti, do të fitonte një herë çmimin e parë me Elhaida Danin në Top Fest 9 dhe çmimin e publikut, me këngën më të klikuar "Asnjëherë" nga Albërie Hadërgjonaj. Vitin e kaluar, Flori dhe Elvana do të shfaqeshin në Top Fest 12, si të ftuar specialë për të promovuar hit-in në bashkëpunim me "Digitalb", "Kuq e zi".
Edhe pse mediat dhe publiku e vunë re mungesën e gjatë të Florit në skenën e "Kënga Magjike", madje besuan se kishte një divorc midis kantautorit dhe këtij festivali, sërish ai vazhdonte të konkurronte, herë si kompozitor dhe herë nën emrin e "3Dots".

Në edicionin e vitit 2013, mori pjesë si kompozitori i këngës "Vetëm unë" nga Manjola Nallbani, ndërkohë që Kledi Bahiti,pavarësisht aludimeve, se divorci ishte mes "Kënga Magjike" dhe "3Dots", ka konkurruar edhe si kompozitior, por edhe si kantautor me baladën e tij hit "Rastësi".
Këtë vit, bashkë me Florin, do të vijnë për herë të parë në këtë skenë edhe Klajdi Haruni dhe këngëtari i ri i super-hitit "Love me", Bruno. Të dy kanë këngë nga ky kompozitor.