Receta te Shendetshme

Prindërit kanë në dorë jetën e fëmijëve: Nëse hanë keq sot, do ta vuajnë nesër

29 Maj 2014

Prindërit kanë në dorë jetën e fëmijëve:

Në vitin 1997, kur babai I saj pësoi një infarkt dhe pas problemeve që shkaktoi diabeti I trashëguar në fisin e saj, Dhurata Thanasi nisi të kuptonte rëndësinë e ushqimit. Vajza e një farmacisteje, ajo po ndërgjegjësohej gradualisht, se me anë të ushqimit mund të parandalonte sëmundje të ndryshme, pa qënë nevoja për të pritur për ilaçet.

15 vite më pas, pasioni I saj do të merrte dhenë kur në Instagram dhe Facebook, nën pseudonimin “lugaeargjendtë” ajo nisi të postonte gati çdo ditë foto gatimesh si të shkëputura nga revista “Gourmet”. Gatimet shoqeroheshin me një përshkrim të detajuar dhe shpesh të komplikuar për ata që nuk I njihnin disa përbërës që Dhurata përmendte. Dalëngadalë, ndërsa ndjekësit shtoheshin, Dhurata bindej gjithmonë e më shumë se në Shqipëri kishte ardhur koha për t’u edukuar për të ushqyerin e shëndetshëm. Ato çfarë ajo kishte mësuar dhe gatuante për bashkëshortin e saj me nacionalitet të huaj dhe të birin, dëshironte t’I ndante edhe me të tjerë.

Sot, Dhurata, ish-studente në Kennedy School of Government pranë Harvard University, është një ndër aktivistet më të njohura për edukimin e prindërve dhe fëmijëve për të ushqyerin e shëndetshëm.

Përpara disa kohësh, me rastin e Food Revolution Day (Një lëvizje e nisur nga shefi I kuzhinës me famë botërore Jamie Oliver), Dhurata u bë një ndër nismëtaret e një takimi mes kuzhinierësh, prindërish e fëmijësh në ambientet e shkollës Ëorld Academy of Tirana, ku demonstroi disa gatime që mund të praktikoheshin lehtë në shtëpi dhe u tregoi fëmijëve se cilat ishin disa ushqime të shijshme dhe të padëmshme.

Pasi punoi prej 15 vjetësh në shumë vende të botës me projekte të UNDP, WHO, UNOPS apo Sorros, Dhurata ka vendosur që këto vite të përqëndrohet totalisht në dashurinë e saj të madhe për ushqimin.

Këto kohë, diplomave të saj të letërsisë, biznesit e politikës publike, po I shtohet edhe një diplomë si inxhiniere agromjedisi pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. “Mendova që njohuritë e mia të drejtoheshin më në fund në këtë degë, të cilën e adhuroj dhe me pasion mundohem ta meritoj çdo ditë” shprehet ajo për anabel.al.

SI TË SHMANGIN FËMIJËT TUNDIMET NGA FAST-FOOD-ET 
Duhet të fillohet me veprime konkrete dhe me mirëushqim nga ne si prindër dhe individë. Nëse këtë lloj shkolle e nisim që nga muajt e parë të jetës, ata do ta kenë të vvështirë të hanë ndryshe. Fakti është që prindërit, në shumë raste, nuk janë të përkushtuar në vazhdueshmërinë e mirëushqyerjes, ashtu siç u përkushtohen në vitin e parë të jetës dhe herë pas here bëhen model I keq për fëmijët, përsa I përket ushqimit.

Të jesh baba dhe nënë, gjyshe apo teze e mirë nuk shihet vetëm tek diplomat që ke, sa kohë luan me ta, sa përralla u lexon kur flenë gjumë, por edhe sa shëndetshëm ushqehesh, duke u bërë një shembull I mirë për këtë pjesë bazike të jetës. Fëmijët nuk kuptojnë se përse duhet të hanë lëng thjerrëzash kur babai ha sufllaqe, apo pse të hanë kosë me drithëra, kur gjyshja u jep vezë “sy” me djathë të skuqur me miell e kremviçe të tiganisura.

Thjesht fare: Nuk na e ka fajin “rruga” e mbushur me sufllaqe e hamburger, na e ka “fajin” shtëpia e zbrazur nga frutat, perimet, drithërat dhe në të shumtën e rasteve, mosimpenjimi për të gatuar, duke marrë gati gjithçka.

A MUND TË HASH SHËNDETSHËM ME PAK SHPENZIME?
Është çështje këndvështrimesh. Sigurisht shumë përbërës të ushqimit të shëndetshëm janë të shtrenjtë. Por aspak të shtrenjtë, nëse mendon se ushqimi që ha është ilaçi më I mirë në jetëgjatësinë e shëndetit tonë.

Gjithsesi, mjafton të dish të gatuash duke përdorur përbërësit me nikoqirllëk. Që do të thotë se nëse je një familje prej 4 personazh dhe do të gatuash mish me agjinare (kjo e fundit kushton 600L kg dhe ka shumë vitamina), mund të gatuash me përbërës shtesë dhe të blesh gjysëm kg e ta shijosh njësoj si ata që “kanë”. Por është shumë e rëndësishme të dish e të njohësh të gatuash.

Shumica e ushqimeve që blejmë hidhet apo shpërdorohet, si pasojë e blerjes me shumicë. Ndërkohë që mund të blihet një herë në 2 ditë dhe pak, për të ruajtur vlerat ushqimore.

NËSE NUK IA DIMË EMRAT, A DUHET T’I GATUAJMË USHQIMET EKZOTIKE?
Shumë produkte ushqimore të panjohura më parë, kanë nisur të hyjnë në tregun tonë, të popullarizuara nga blogjet apo recetat e shefave të kuzhinave nëpër revista. Padyshim, shpërndarja e informacionit në rrjet është I menjëhershëm. Krahas tij, duhen përcjellë edhe informacionet mbi efektet dhe mirësitë që kanë këtë përbërës në trupin tonë. Produkte si quinoa apo avokado janë të lashtë dhe të provuar nga gjenerata të tëra popujsh, që nga Meksika e deri në Peru, për mirësitë që sjellin në trupin e njeriut. Këshilla ime është që përdorimi I tyre duhet të jetë I nevojshëm, por jo kryekëput I domosdoshëm, sepse ne jemi mesdhetarë dhe të bekuar me produkte që shumë mirë zëvendësojnë apo bashkërendojnë të lartpërmendurat.

A VLEN TRADITA JONË E GJELLËVE?
Prekët një çështje shumë për zemër për mua: Traditën. Janë shumë gatime të traditës që duhen mbajtur gjallë. Në të shumtën e rasteve, teknika e gatimit duhet ndryshuar.

Si përshembull, një herë e një kohë, trahanaja e kuqe shoqerohej me një salcë me qepë të skuqura shumë, piper të kuq të ëmbël dhjam I skuqur dhe djathë. Një mënyrë më e shëndetshme e gatimit të salcës është: “Skuqja e qepëve me ujë, spërkatja me djathë e vaj ulliri të freskët. Çdo lloj fërgimi, por mbi të gjitha skuqja e mishit/dhjamit në vaj, është më mirë të mbetet “Legjendë nga e Kaluara”.

RREZIKU KRYESOR PËR FËMIJËT
Personalisht mendoj se ndërthuren shumë momente, por zanafilla themeltare është familja. Varet se si sillemi dhe edukojmë vogëlushet, për të marrë rezultatet  e fëmijëve të të ardhmes. Nuk besoj aspak tek ndëshkimet Koperfildiane. Ato janë si droga, që “lehtësojnë” për momentin, por që në rrugë e sipër “ta sjellin përsëri në derë” problemin. Unë besoj më shumë në Evolucion sesa Revolucion. I pari ngrihet dita-ditës. I dyti, është kulmi I të parit.

NJË GJYKIM I GABUAR MBI USHQIMIN E SHËNDETSHËM
Nuk besoj se ushqimi I shëndetshëm paragjykohet, thjesht shumëkush mendon se “duhet të kesh nge” të merresh me të. E pse vallë? Të bësh një pjatë me sallatë panxhari të kuq me pak djathë të bardhë e sallatë jeshile, vaj ulliri e kripë, dashka më shumë punë se patatet e skuqura me kaçkavall të skuqur anash? Gjithsesi unë mendoj që ënyra sesi hamë na penalizon më shumë sesa çfarë hamë, pasi na mungon dija mbi kombinimin e shumë përbërësve në vakt.

A E DIMË NE EFEKTIN NEGATIV TË SHEQERIT?
Unë nuk kam informacione dhe statistika si e qysh e përdorin sheqerin familjet shqiptare, por nga eksperienca ime si nënë, mundohem ta shmang sa më shumë, duke e zevendësuar me fruta dhe ëmbëlsues të tjerë, pak mjaltë etj. Janë vendet e përbashkëta si kopshtet, ditëlindjet, të shkuarit me pushime, ku fëmijët tanë (Ata që janë mësuar të hanë shëndetshëm) përballen me sheqerin e tepërt.

SI GATUHET NË KOPSHTET TONA?
Kam parë disa kopshte. Situata nuk është shumë normale. Ajo çka më merakos më shumë është siguria e ushqimeve, duke nisur nga burimi e deri tek respektimi I skadecës, ruajtja brenda kushteve e produkteve, gatimi në parametra higjenike. 

A MUND TË PUNOSH FULL-TIME E TË GATUASH SHËNDETSHËM?
Absolutisht po! Është çështje prioritetesh dhe organizimi. Nuk e mbaj veten për ndonjë super të rregullt, por duke qënë që të ngrënit mirë ka qënë në krye të listës në familjen time, e bëj me qejf dhe mbi të gjitha e planifikoj.

A KA NJË KUFI TOLERANCE NDAJ USHQIMEVE TË PASHËNDETSHME?
Unë mendoj që nuk duhet bërë pakt me djallin. Domethënë, nuk duhet të ketë tolerancë kundrejt Coca-Colas, pijeve gjithë shtues e ngjyrosës, kruasantëve të gatuar me vaj të parafinuar palme.

Sa më shumë të gatuajmë në shtëpi, aq më shumë do të shmangim efektet negative që vijnë nga kequshqyerja. Vërtetë një pjatë me patëllxhanë është e rëndë por e gatuar në shtëpi me vajin e mirë, kavërdisjen e duhur dhe shumë me e shëndetshme sesa ajo e blerë në restorante.

A DUHET TË SHMANGIM SUPERMARKETET DHE USHQIMET E KONSERVUARA?
I shmang duke blerë çdo ditë perime dhe duke gatuar me to. Pse duhet të blej fasule kuti, kur kam fasulet pllaqi dhe “qorre” të Korçës, apo pse të blejmë gogozharet e Maqedonisë, kur specat e kuq të Lushnjës me pak kripë, dafinë, hudhër e vaj ulliri mund të gatuhen për 10 minuta në tenxhere me presion? Ushqim të freskët kemi me bollëk, mjafton dëshira dhe edukata për të ngrënë mirë.