Siç mund ta keni lexuar në një tjetër artikull, me qindra e mijëra njerëz ishin të pranishëm rreth 1 javë më parë në Detroit, ku nisën homazhet për këngëtaren Aretha Franklin. Familjarë, miq dhe admirues të shumtë të saj mbushën tempullin Greater Grace në Detroit këtë të premte për të nderuar jetën, trashëgimininë dhe muzikën e “Mbretëreshës së muzikës soul”.
Gjithë ceremonia ishte përshtatur për të qenë e denjë për një divë, e cila u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore si pasojë e kancerit në pankreas.
Muzika e zjarrtë, këngët e shpirtit, performancat etj, nderuan gruan e parë që u fut në Rock & Roll Hall of Fame, gruan që fitoi plot 18 çmime Grammy, një tjetër çmim Grammy për “Arritjet e larta në jetën artistike”, e shumë e shumë të tjera.
Këngëtarë si Ariana Grande, Faith Hill, Chaka Khan, Jennifer Huston, Stevie Wonder etj., u mblodhën për të drithëruar të pranishmit teksa këndonin (You Make Me Feel Like) A Natural Woman”, “I’m Going Up Yonder”, “Take My Hand, Precious Lord”.



Stevie Wonder qe i fundit që performoi “Lord’s Prayer”, pak para se familjarët të dilnin nga kisha.
“Si po ja çon, i dashur?” ishte përshëndetja e fundit e saj që ish-presidenti i SHBA-së Bill Clinton, i pranishëm së bashku me Hillary Clinton, kujtoi me nostalgji gjatë fjalimit të mbajtur në ceremoni, i cili do të pasohej nga të tjera histori të njerëzve që shoqërohej këngëtarja.
Fansat anembanë botës ndoqën funeralin për më shumë se gjashtë orë duke përdorur hashtag-un #ArethaHomegoing.
E paharrueshmja Aretha Franklin sundoi botën e muzikës me prodhimet artistike të gjinisë soul, me zanafillë tek komuniteti afrikano-amerikan në SHBA në fundin e vitin 1950.
Ajo është renditur disa herë në listën e 100 artistëve më të mirë të të gjitha kohërave nga “Rolling Stone”, muzika dhe vargjet e së cilës u bënë një himn i lëvizjeve të grave (lexo: “Respect”).