
*Shënim: Pjata e mëposhtëme është përgatitur nga Ami Bekteshi, e cila në llogarinë e saj të Instagram-it Renamour_fait_avec_amour, ndan me ndjekësit e saj receta nga më të ndryshmet.
Përbërësit për 2-3 persona:
2-3 fileto salmon
120 gr quinoa të zier (sasi e barabartë me 1 gotë uji)
50 gr oriz basmati të zier (sasi e barabartë me 1 filxhan kafeje)
1 karotë mesatare
Kërpudha pylli
2 qepë të njoma
3 thelpinj hudhër
½ tufë majdanoz
Vaj ulliri
Gjalpë
Piper i zi
Kripë
Hudhër pluhur
Kopër pluhur
Majdanoz pluhur
Për salcën shoqëruese:
250gr kos i trashë
1 lugë gjelle majonezë
Kopër
Vaj ulliri
Hudhër pluhur
Përgatitja:
Pastroni mirë filetot e salmonit dhe përthithni ujin me letër kuzhine. Marinoni filetot e salmonit me kripë, kopër pluhur, hudhër pluhur dhe pak piper të zi. Lërini të marinohen per rreth 30min. dhe vendosini në një tigan që nuk ngjit në temperaturë të ulët me pak vaj ulliri. Kthejini në të gjitha faqet derisa të marrë skuqje të mirë gradualisht.
Paralelisht përgatisim ‘shtratin’ e quinoas. Vendosim në një tigan të thellë pak gjalpë. Sapo të shkrijë shtoni qepët e njoma të prera hollë, thelpinjtë e hudhrës të prera hollë, kopër, piper, kripë dhe pak majdanoz pluhur.
Sapo qepët të fillojnë të zbuten shtoni karotën e prerë në rripa të hollë. Vazhdoni kaurdisjen dhe shtoni më tej kërpudhat dhe majdanozin e grirë hollë.
Kaurdisni për 2 minuta të tjera dhe shtoni quinoan e zier dhe të kulluar mirë nga uji i zierjes dhe më tej edhe orizin basmati të zier dhe të kulluar. Fikeni sobën, shtoni pak vaj ulliri, kaurdiseni masën mirë dhe është gati.
Përgatisim salcën shoqëruese në një tas porcelani. Shtoni kosin, majonezën, hudhër pluhur, pakëz kripë, kopër pluhur dhe pakëz vaj ulliri. Përzijeni masën mirë dhe salca është gati.
Në pjatën e servirjes shtroni ‘shtratin’ e quinoas dhe sipër saj vendosni fileton e salmonit dhe salcën shoqëruese… dhe Bon Appétit ?