I ftuar në emisionin “Provokacija” në ABC News, Ermal Mamaqi foli sërish për incidentin në studion e “Xing me Ermalin”, kur të ftuar ishin Nas Daily me të dashurën e tij, Alyne.
“Unë kisha ftuar Nas Daily-n, të cilin një miku im, Arbër Hajdari, ma kishte prezantuar. U takuam dhe ai ishte me të dashurën e vet. Dhe meqë pagoi darkën, unë i thashë mund të marrësh dhe të dashurën (qesh). Nuk e dija që ishte një person që bën video dhe ka një çështje të vetën. Por mesa pashë më vonë rrjetin e saj, që nuk ishte i vogël, dhe reagimin, mendova që kjo [reagimi, lotët] ishte një formë kurthi. Ose më saktë, shfrytëzoi mundësinë për të pasur një reagim që ishte goxha i planifikuar. Kam video të cilat do të transmetohen më vonë, pasi kemi xhiruar çdo gjë që ndodhi në studio.”
Në lidhje me reagimin e Alyne-s, e cila shpërtheu në të qara, Ermali shton:
“Në momentin e parë mendova që kjo nuk po ndodh. Thashë ok, kjo po bën shaka. Kjo qeshi, Nas qeshi, të gjithë qeshëm. Një javë më parë pyetëm Emina Çunmulajn ‘burri yt është bërë synet’ dhe Emina me shumë elegancë e priti pyetjen, e shpjegoi. Që në momentin që ne futemi në emision, e dimë që është një emision humori. Unë ia shpjegova që kjo [Kejvina] do të vijë për të bërë një pyetje të sikletshme për humor, asnjë sulm, asnjë lloj diskriminimi. Ishte shumë e talentuar për ta shfrytëzuar momentin. Sepse në momentin e parë, ajo e kuptoi pyetjen, thjesht tha ‘ej, kjo nuk është shumë e sjellshme dhe blla, blla’, pastaj filloi të qante.”
Ndër të tjera, Ermali sqaron që sipas tij, Alyne e kishte marrë vesh pyetjen në prapaskenë dhe kishte thënë “jo, më bëj një pyetje tjetër”.
“Mirëpo është emisioni im dhe e vendos unë cilat pyetje do të bëhen. Prandaj i thashë [Kejvinës] jo do të bësh këtë pyetje.”
Në fund të diskutimit mbi çështjen që bëri bujë, Ermali u shpreh se është duke përgatitur një video që do të transmetohet këtë javë, e cila shpjegon gjithë ngjarjen; çfarë do të thotë seksizëm dhe të bësh humor në këtë nivel nuk quhet seksizëm.
“Nëse do të analizojmë çdo shaka, i bie që të mos qeshim kurrë. Në çdo moment ne bëjmë humor me burrat e martuar, humor me gratë, me fëmijët, me gay-t, me të moshuarit.”
Sipas tij, këmbëngulja e Alyne-s për ta transmetuar videon, edhe pse ata i kërkuan falje duke e cilësuar pyetjen si “një pyetje idiote”, ishte një grackë që videoja të bëhej virale në favor të saj dhe çështjes që ajo përfaqëson.