Ditën e sotme Ermal Mamaqi ka postuar në kanalin e tij në Youtube një video “alla” Nas Daily dhe Alyne, në të cilën i shpjegon të gjithë botës në gjuhën angleze incidentin që ndodhi rreth një muaj më parë në studion e emisionit të tij kur të ftuar ishin çifti i blogerëve.
Në fillim të videos, Ermali shpjegon gjithçka për çfarë bëhet fjalë duke theksuar faktin që Alyne u ftua nga ai në emision vetëm sepse ishte e dashura e Nas- it. Ai gjatë gjithë videos nuk ja përmend emrin asaj, por i referohet si “e dashura e Nas- it” njësoj si Alyne iu referua atij si "prezantuesi mashkull" në videon e saj.
Ermali gjithashtu ka treguar se pas incidentit i ka propozuar çiftit që pjesa e pyetjes së Kevinës të pritet, por ka qenë Alyne ajo që ka insistuar të kundërtën duke thënë se njerëzit duhet ta shihnin çfarë kishte ndodhur.
Më pas ai është ndalur tek videoja e blogeres në të cilën Ermali thotë se është përdorur si imazh seksizmi, për të treguar se sa i keq është ai dhe sa e mirë është ajo.
Moderatori gjithashtu e krahason veten me prezantues të tjerë që moderojnë programe të ngjashme në botë, duke sjellë disa shembuj që vërtetojnë se personazhe të caktuar në situata të tilla nuk preken nga këto pyetje të thëna me shaka.
Sipas tij ka mjaft gjëra të tjera që në atë që quhet “humor i zi” që mund të konsiderohen seksiste dhe këtu e ka fjalën për shakatë që ai vetë ka bërë rreth pjesëve mashkullore të trupit, shaka me të cilat Alyne ka qeshur.
Ai e akuzon blogeren se në videon e saj është përpjekur të marrë vëmendje duke përdorur negativisht femrat dhe kryesisht Kevinën.
Në fund, Ermali e mbyll videon duke thënë se nëse do të vendosnin një filtër për seksizmin apo diskriminimin në çdo shaka nuk do të ishte e mundur që njerëz si ai të bënin humor.
“Do të doja të thoja se sa shumë i respektoj vajzat, gratë dhe këdo që ka potencialin t’i përgjigjet çdo njeriu që bën pyetje të papërshtatshme duke theksuar sërish se në jetojmë në një botë ku vetëbesimi dhe liria e fjalës na garantojnë ne një jetë më të mirë.
Premtoj që do të përmirësohem si njeri dhe nëse kam ofenduar njeri, ky nuk ka qenë qëllimi im. Si gjithmonë, qëllimi im i vetëm është t’i bëj njerëzit të qeshin.”
Më poshtë videoja e plotë e Ermal Mamaqit