Cardi B iu drejtua Instagramit dy orë më parë për të deklaruar se ajo dhe bashkëshorti i saj, reperi i famshëm i grupit "Migos", Offset, nuk janë më bashkë.
“Pra, të gjithë më kanë gjurmuar dhe ju e dini, kam qenë duke u përpjekur që të rregulloj punët me babin e vajzës sime. Ne jemi me të vërtetë miq të mirë dhe partnerë në biznes. Ai është gjithmonë dikush ku unë drejtohem, flasim dhe kemi shumë dashuri për njëri-tjetrin, por gjërat nuk kanë funksionuar për ne prej një kohe të gjatë”, thotë Cardi për të vazhduar më pas duke shtuar:
“Nuk është faji i askujt, thjesht mbaroi dashuria. Ne nuk jemi më bashkë. Mund të duhet pak kohë për t’iu drejtuar divorcit. Do të kem gjithmonë dashuri për të, sepse është babai i vajzës sime.”
Ata janë prindër të vogëlushes Kulture Kiari Cephus, e cila erdhi në jetë në korrik të këtij viti. Reperi i propozoi Cardi-t në tetor të një viti më parë në Philadelphia.
“E kam parë potencialin dhe vizionin e saj. Çfarëdo që bën, e bën më së miri. Ajo është si unë. Më sjell kënaqësi dhe presion, por më pëlqen kjo gjë,” thotë Offset së fundmi në një artikull nga New York Times, “Duke u shkëputur nga ‘Migos’: Metamorfoza e Offset”.