Me gjithë modestinë, “Hostel by Anabel” ishte gjëja më e veçantë e qershorit (dhe e korrikut dhe gushtit). Formula e emisionit, krejtësisht origjinale, u kthye në te preferuarën e publikut shqipar. Hosteli arriti të kapë dhe të përpunojë atë që i mungonte shikuesit të ri, e kuptoi në thellësi ç’kontent kërkon i linduri i viteve ’90 apo ’00 dhe prandaj hasi kaq sukses. Jemi shumë krenarë për këtë produksion dhe ju falenderojmë për mbështetjen.
“Në fund të çdo episodi, ashtu siç ndodh dhe kur shikon një film, ndodh të të mbesë në mendje një mesazh. Ishte pak e veshtirë të nxirrje një mesazh të caktuar pas cdo puntate pasi trajtoheshin shumëllojshmëri temash. Përpos humorit, çmoj shumë dhe anën edukative.” – shkruan një vajzë, ndjekëse e rregullt e “Hostel by Anabel”, e cila ka përgatitur shkrimin e mëposhtëm.
Vajzat janë të paparashikueshme! Edhe pas shekujsh të tërë, djemtë s’do e kuptojnë asnjeherë sa e vështirë është për femrat që të kurojnë veten deri në detajin më të vogël që në fund të mos përfundojnë si ndonjë klloun i dalë nga filmat horror. Por, bëhen vërtet të frikshme kur një situatë nuk shkon ashtu siç duan. Shkurt, i del në sipërfaqe një karakteristikë tjetër për personalitetin që ende nuk është shpikur!

Njerëzit nuk do të lodhen asnjëherë së paragjykuari pavarësisht ndryshimeve që mund të bëjmë tek vetja, por, në fund të ditës të gjithë dalim para pasqyrës dhe themi : “Ah, të kisha dhe unë guximin t’i bëja”. Jetojmë në një botë ku dikush ndihet i lumtur beqar, dikush duke vizatuar trupin me tatuazhe, dikush tjetër duke luajtur me make-up apo dikush duke shijuar jetën pavarësisht qindra syve paragjykues. Rëndësi ka të jemi të sinqertë dhe të vërtetë me veten sepse çdo gjëje tjetër i vjen fundi shumë shpejt.

Bota është nje xhungël ku konkurrenca shtohet dita-ditës dhe nëse duam t’ia dalim mbanë, duhet të gjejmë kohën të investojmë tek vetja në menyrë që të ndihemi të pamposhtur. Kjo do të thotë të dalësh nga zona jote e rehatisë dhe të provosh gjëra qe s’i ke bërë kurrë më parë. Ajo që nuk arrin të të vrasë, të bën më të fortë.

Të duash veten fillon që nga e ngrënura duke e bërë të ushqyerin shëndetshëm një mënyrë jetese. Dietat sa vijnë e bëhen më të çmendura dhe duhet të kuptojmë që në fund të ditës duhet të ndihemi të lumtur dhe t’i duam tulet tona. Sado e rëndësishme të jetë pamja fizike, është kimia e menjëhershme që e mban gjallë interesin. Ç’të bësh që ka dhe nga ata persona që s’besojnë në asnjë nga këto “broçkulla” dhe jetojnë të lumtur beqar dhe me Netflix gjithë ditën.

S’ka si turshitë!!! S’ka si frutat dhe perimet e fshatit!!! Ndonjëherë duhet të dalim nga monotonia e jetës sonë të përditshme dhe të provojmë eksprienca të reja, qoftë dhe të ushqejmë pulat apo të mjelim lopën. Nga çdo gjë mëson diçka të vlefshme dhe asnjëherë s’duhet t’i themi “jo” mundësive që jeta na nxjerr përpara, pavarësisht vështirësive.

Njeriu nuk ka nevojë për shumë gjëra që të shijojë jetën në maksimum. Me pak lekë, shpirt aventurieri dhe një sens humori të pashterueshëm mund të kthejë një udhëtim të zakonshëm në eksperiencën më të bukur të jetës. Guxo, mos ki frikë dhe ec përpara!

Martesa i ndryshon njerëzit. Sado të përpiqesh, identiteti yt i vjetër mbetet në foto të harruara, thellë nëpër kujtime. Pavarësisht ndryshimeve drastike që pëson jeta jote, vetëm çifti mundet t'i japë ngjyra identitetit të ri. Pa frikë, martesa nuk kafshon!

Shqipëria është shumë e bukur. Nuk ështe vetëm sepse ka peizazhe të mrekullueshme, por janë njerëzit ata që e zbukurojnë edhe më tepër. Mund të thuhen fjalë të këqija, t’ia ulim vlerat dhe ta mohojmë, por ështe toka jonë dhe ka nevojë për dashurinë tonë. Mjafton të mos paragjykojmë dhe të vizitojmë vende të cilat asnjëherë s’na kanë kaluar nëpër mendje më parë.

Kanë ardhur kohë të vështira për të gjetur një partner, sidomos kur takon “specie” që as nuk e mendoje se ekzistonin deri në momentin që të bien për pjesë. Duhet të kalosh histerikun, materialistin, hallexhiun e shumë e shumë të tjerë derisa të gjesh atë për të cilin ta bën zemra BAM!

Mësuam si të bëjmë salçiçe! Përpos kësaj u zbulua që ashtu siç ka femra me qindra personalitete, ashtu paska edhe meshkuj. Koha ka përparuar dhe meshkujt duhet të ndjekin ritmin e femrave sepse e vërteta është që lista e kritereve që ato kërkojnë është bërë si Kanuni i Lekë Dukagjinit.

Shoqëritë shkojnë e vijnë por ajo e vërteta duket në momente të vështira. Mund të zihesh, të shahesh, të sfidoni njëri-tjetrin, gjithmonë pa ekzagjerime, dhe në fund t’i hidhni pas krahëve.

Mos u ndikoni asnjëherë nga fjalët që njerëzit kanë për lidhjet tuaja. Nëse doni, martohuni, mbajeni bashkë pasurinë ose thjeshtë ndani një banjo për aq kohë sa duheni dhe jeni të lumtur. Fjalët janë të tepërta. Sa e bukur do ishte bota sikur të gjithë të thonim atë që vërtet mendojmë!

– Shkruar nga Anisa Peti, përshtatur nga redaksia*