Miley Cyrus është përsonazhi i radhës i përzgjedhur nga Vanity Fair për kopertinën e pranverës, në mars. Në intervistë, këngëtarja rrëfen ndër të tjera edhe për martesën. Miley, pjesë e komunitetit LGBTQ+, jeton prej kohësh një marrëdhënie heteroseksuale me Liam Hemsworth, marrëdhënie që u kurorëzua në një dasmë më 23 dhjetor të 2018-s në Nashville, Tennessee.
“Arsyeja pse martohen njerëzit mund të jetë ndonjëherë thjesht sepse ndjekin traditën, por mendoj se arsyeja pse ne u martuam nuk ka lidhje me këtë. Një ndër gjërat që jam më shumë krenare është se jam një person i çuditshëm (queer). Ajo që mendoj unë është kështu: Njerëzit bien në dashuri me njerëzit, jo me gjininë, jo me dukjen. Lidhja ime me dashurinë është në një nivel shpirtëror. Nuk ka të bëjë me seksualitetin. Marrëdhënia për mua nuk ka lidhje me gjininë apo seksin. Seksi dhe gjinia janë dy aspekte shumë të vogla, thuajse të parëndësishme.”
Shënim: Queer (e çuditshme) – Q tek LGBTQ+ (lesbike, gay, biseksual/e, transgjinor/e, queer) i referohet individëve që nuk janë të sigurt për orientimin e tyre seksual dhe/ose identitetin gjinor.
"Seksualiteti dhe identiteti gjinor janë krejtësisht të ndarë nga lidhja e dashurisë. Unë u vesha me një fustan nuseje ditën e dasmës sepse ndihesha e tillë, por kjo nuk më bën një ‘grua heteroseksuale’ sa hap e mbyll sytë.”
Më pas shton:
“Njerëzit si unë e kanë të vështirë të lulëzojnë si të tjerët, në një terren normal. Unë lulëzoj në ekstreme. Dua të jetoj një jetë të mbushur me dashuri, muzikë dhe aventurë. Besoj se ekuilibri do të më çojë atje ku dua edhe pse ndonjëherë për mua është si një fjalë e huaj. Do të ketë gabime, por nga ato do mësoj. Ashtu si tha edhe Bowie [David Bowie, këngëtar dhe tekstshkrues britanik; shënim i red], nuk e di ku do shkoj, por di që udhëtimi im s’do të jetë i mërzitshëm.”
Rreth 5 vite më parë, në një intervistë për revistën Elle, Miley Cyrus rrëfeu për herë të parë se ishte panseksuale – preferencat e saj nuk njohin kufij. “Kjo do të thotë me të gjithë".
Në një intervistë tjetër për “Variety”, artistja shpjegoi më mirë domethënien e këtij termi.
“Nuk ka të bëjë nëse je djalë, vajzë apo dikush në tranzicion. Nuk i shoh njerëzit si ajo që kanë qenë, por si ajo që janë tani. Mendoj për atë që kam qenë dhe për atë që jam tani: është një tranzicion në vetvete. Kushdo është në tranzicion të vazhdueshëm.”
Cyrus gjithashtu rrëfeu momentin në të cilin kishte kuptuar se ishte panseksuale.
Vajta në një qendër LGBTQ dhe po dëgjoja historitë. Pashë një person në veçanti që nuk identifikohej as si mashkull, as si femër. Duke e parë, dukej i bukur, seksi dhe i fortë. Pashë veten tek ai njeri më shumë se tek kushdo tjetër në jetën time. Edhe pse mund të dukem shumë ndryshe, njerëzve mund të mos u dukem aq neutrale sa ndihem. Por, unë ndihem shumë neutrale. Mendoj se ai ishte njeriu i parë me gjini neutrale që kisha parë ndonjëherë. Në momentin që e kuptova më mirë gjininë time, kuptova edhe seksualitetin tim dhe mendova ‘Oh, ja përse nuk ndihem as hetero as gay. Sepse nuk jam e tillë.”
Artistja tregoi se kishte filluar të kuptonte rreth gjinisë dhe seksualitetit në klasë të gjashtë dhe se lidhja e saj e parë kishte qenë me një vajzë.