Batuta e Trejsi Sejdinit, e ftuar në emisionin “Why Not” të drejtuar nga Roza Lati, na kujtoi edhe njëherë problemet thelbësore prej të cilat vazhdon të vuajë shoqëria jonë.
“A je e virgjër si Enca?” Kjo ishte një prej pyetjeve që iu drejtua Trejsit, përgjigja e të cilës siç e dëgjuat ishte:
“Sa është një Encë janë 3 Trejsa, të shkretë. Si mund të mos jetë Enca e virgjër? Kush e ngre Encën e shkretë!” - u shpreh Trejsi.
Menjëherë pas kësaj, e vetëkënaqur prej asaj që tha, Tejsi bashkë me moderatoren e programit, shpërthyen në të qeshura.
Është gati e dhimbshme që sot, në 2019-ën tema të tilla të trajtohen ende kështu; me krahasime të pakuptimta dhe mbi të gjitha duke promovuar bullizmin. Edhe më shqetësuese e bën e qeshura e Roza Latit, e cila po drejton një program dhe pavarësisht formatit, s’duhet ta lejonte një përgjigje aq ofenduese sa ishte ajo e Trejsit ndaj Encës.
Sigurisht që përgjegjësia është e dyfishtë. Së pari, i/e ftuara duhet të mendohet mirë për çfarë flet publikisht dhe së dyti, produksioni duhet të kujdeset për vlerat që promovon dhe mesazhet që jep tek audienca.
Fare mirë, për të shmangur komentin që dëgjuam më sipër gjatë montazhit ajo pjesë mund dhe duhej fshirë.
Sa e lashtë dhe denigruese është të lidhësh çështjen e virgjërisë me peshën e një femre dhe aq më tepër të bësh krahasime të atij tipi?
Është fare e thjeshtë që një batutë e tillë të mbyllet me një të qeshur, por e mendoni pak çfarë ndikimi mund të japë tek vajzat që luftojnë çdo ditë me peshën e tyre?
Shije të hidhur kjo duket se i ka lënë edhe komentuesëve.
Gjithsesi kjo nuk është hera e parë që personazhe të njohur heqin nga vetja petkun e përgjegjësisë kur dalin në televizion a rrjete sociale dhe i mëshojnë fenomeneve që duhen zhdukur.
Shënim: Pas reagimit të ashpër në rrjete sociale, deklarata është fshirë nga videoja e postuar nga Ora News në kanalin e YouTube-it/ përditësuar më 11:00, 13 mars 2019.