Kosova

E mbijetuara e krimeve të luftës në Kosovë dëshmon para Kongresit Amerikan

Shkruar nga Anabel

1 Maj 2019

E mbijetuara e krimeve të luftës në Kosovë dëshmon para

Vasfije Krasniqi-Goodman, gruaja e parë që foli haptazi për përvojën e saj si viktimë e krimeve të luftës së Kosovës, dëshmoi para Kongresit Amerikan në një dëgjesë të komitetit të punëve të jashtme në Washington DC.

Në një fjalim tejet emocional, Krasniqi-Goodman u tha gjithë të pranishmëve në dëgjesën e quajtur “Viktimat e Luftës së Kosovës: Kërkesa për Drejtësi” se kur ishte vetëm 16 vjeçe, në vitin 1999, u përdhunua nga oficerë serbë.

“Pasi ndodhi, qaja pa kontrol, iu përgjërova të më vriste. Ai më tha jo, sepse e gjallë do të vuaja më shumë. Kishte të drejtë, kam vuajtur,” tha ajo.

Ajo i kërkoi komitetit drejtësi dhe vetëm kaq.

“S’do të bëj kurrë paqe me të kaluarën time deri kur të marr drejtësinë që më takon. Prandaj sot, u bëj kërkesë përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të adresojnë krimet dhe abuzimet e luftës ende të pandëshkuara dhe të kërkojnë drejtësi të menjëhershme për të mbijetuarit,” tha Krasniqi-Goodman.

E mbijetuara e krimeve të luftës në Kosovë dëshmon para

Dëshmoi gjithashtu edhe Ilir Bytyqi, një shqiptar-amerikan vëllezërit e të cilit u vranë nga policia serbe në 1999-n fill pas luftës.

Bytyqi akuzoi autoritetet serbe se po mbrojnë vrasësit.

“Presidenti Vucic mbron kriminelët që vranë vëllezërit e mi,” tha ai.

Trupat e tre vëllezërve u gjetën në një var masiv në një qendër trajnimi për oficerët në Petrovo Selo, në Serbinë lindore. Autoritetet serbe hapën një hetim në vitin 2002, por deri më tani s’është ngritur asnjë akuzë.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, prezente në panel tha se ka takuar me qindra gra të mbijetuara të dhunës seksuale të gjatë luftës. “Përvoja e tyre jeton me to. vuajnë ende nga dëmtime fizike dhe PTSD,” tha ajo.

Rrëfimin e plotë të Vasfije Krasniqi-Goodman mund ta lexoni këtu.