Nëse ndiqni rregullisht video bukurie në YouTube, medoemos jeni të përditësuar me konfliktin James Charles – Tati, por nëse jo, këtu keni një përmbledhje të shkurtër të situatës.
E gjitha nisi pasi vlogerja Tati Westbrook, pak kohë më parë mikeshë me James Charles, lançoi linjën e saj me produkte për kujdesin e flokëve.
Ëestbrook thekson se u tradhtua nga James, i cili postoi një reklamë të një kompanie tjetër në Instagramin e tij. Tati përshkruan se për vite me radhë, ajo dhe bashkëshorti e ndihmuan James-in për të ecur para në biznes, ndërkohë që ai u bashkua me kundërshtarët. Tati tha gjithashtu se James i manipulon djemtë heteroseksualë duke i bërë të mendojnë që janë gay.
Më vonë, disa persona të famshëm dhe jo folën për përvojat e tyre me "grabitqarin" James Charles, përfshirë Jeffree Star, i cili la të kuptohej se vlogeri s’lejohet të vijë më në shtëpinë e tij sepse i gjuajti të dashurin dhe Zara Larsson, të dashurit të së cilës James i kishte shkruar disa herë duke e ditur fare mirë që ishte i lidhur dhe heteroseksual.
Që nga shpërthimi i skandalit, James Charles ka humbur më shumë se 3 milion subscribers, ndërsa Tati ka fituar mbi 4. Këto janë shifra masive. Kurrë në historinë e YouTube s’ka ndodhur më parë diçka e tillë.
As pas skandalit të Logan Paul, që publikoi video të një trupi të vetëvrarë në Japoni, nuk pati rënie kaq drastike. Madje, Logan iu shtuan rreth 1 milion subscribers.
Nuk e dimë ç’ka kaq të urryeshme te James Charles, por dimë që njerëzit s’e paskan pasur aspak qejf.