Të dielën mbrëma, HBO publikoi një dokumentar dy orësh që fokusohet në punën e bërë nga ekspertët teknikë dhe producentët për realizimin e dramës masive.
“Game of Thrones: The Last Watch” i prezantoi shikuesit me liderët e prapaskenës që i dhanë jetë serialit të mbushur me kostume, paruke, grim, efekte speciale, lokacione të shumta, mijëra figurantë dhe një departament të tërë dedikuar dëborës.
“Last Watch” i dedikoi goxha kohë Bernie Caulfield, producentit veteran që sipas producentëve ekzekutivë, David Benioff dhe D.B. Weiss, mban meritat për realizimin e serialit më të shtrenjtë dhe më ambicioz ndonjëherë. Kineastja britanike, Jeanie Finlay ndoqi serialin për një vit teksa ata xhironin në Irlandën e Veriut, Kroaci dhe tjetërkund përgjatë sezonit të fundit, i cili përfundoi më 19 maj me shikueshmëri rekord.
Për sa i përket masivitetit të serialit, Caulfield e përngjasoi organizimin e punës me në ekuacion algjebrik. “Ngatërronim diçka vazhdimisht. Kur diçka funksiononte, thjesht e pranonim si fakt.”
Në vijim gjeni gjashtë gjërat që mësuam në “The Last Watch”:
Mesa duket, Kit Harington zbuloi se Jon Snow do të vriste të dashurën e tij, Daenerys Targaryen, gjatë leximit të tavolinës së episodit të fundit, “The Iron Throne.” Kit duket i prekur dhe lë disa lotë t’i rrjedhin në faqe. Emilia Clarke po ashtu.
Dizajnerja e produksionit, Deborah Riley tha se në sezonin e fundit, buxheti kapte vlerën e 15 milionë a më shumë dollarëve në orë. “Kur po xhironim sezonet 4, 5,6 dhe 7, thjesht po stërviteshim për të tetin,” tha ajo.
David Nutter, që qe regjisori i tre nga gjashtë episodeve të sezonit të tetë shpjegoi rëndësinë e gjithë departamenteve që punojnë së bashku dhe koordinohen për punë sekondash. “Unë jam një dirigjent muzikantësh të talentuar, thjesht lëviz krahët,” tha ai.
Dokumentari nxjerr në pah sakrificat që anëtarët e stafit bënë për të pasur mundësi të punonin në serial e të udhëtonin kryq e tërthor Europës. Ekspertët e grimit protetik, Sarah dhe Barrie Gower, punuan bashkë në serial dhe iu desh të linin në shtëpi vajzën e tyre të vogël.
Zyrat e produksionit kishin rafte të tërë të mbushur me shpatulla dhe pjesë të tjera trupi.
Mes mijëra detajeve që duheshin pasur parasysh, një person specifik kishte për detyrë të ruante dhe mirëmbante paruken e platintë të Daenerys.