Celebrity

Demi Lovato dhe gruaja e menaxherit të famshëm i kundërvihen Taylor Swift: ‘Je zënë me të gjithë’

Shkruar nga Anabel

1 Korrik 2019

Demi Lovato dhe gruaja e menaxherit të famshëm i kundërvihen

Taylor Swift nuk është aspak një ndër njerëzit më paqësorë në botë. E fundit, ishte përplasja e saj virtuale me menaxherin e Justin Bieber-it, Scooter Braun, për shkak se ky i fundit bleu një kompani muzikore që kishte të drejtën e këngëve të Taylor-it nga viti 2006 deri në 2017.

Nisur nga postimet e këngëtares në rrjete sociale, nuk kanë munguar njerëzit që e kanë përkrahur, të cilët mendojnë se Taylor ka punuar fort dhe ka të drejtën e këngëve të saj. Por nga ana tjetër, nuk mungojnë as artistët që nuk bien dakord për mënyrën si Swift e trajtoi situatën.

Përpos Justin Bieber-it, edhe Demi Lovato reagoi ashpër në Instagram.

“Kam pasur të bëj me shumë njerëz të këqij në këtë indrustri, por Scooter nuk është një prej tyre. Është i mrekullueshëm. Jam mirënjohëse që erdhi në jetën time. Ju lutem, mjaft ushtruat bullizëm te njerëzit. Ka kaq shumë urrejtje në këtëbotë.” – shkroi Demi. Më pas, ajo theksoi se “është besnike ndaj skuadrës së saj”.

Kujtojmë se Demi dhe Taylor nuk kanë aspak raport të mirë. Debati mes tyre nisi në vitin 2016. Gjykata e Nju Jorkut vendosi që Kesha të vazhdonte kontratën me Dr. Luke, producentin për të cilin ajo u shpreh asokohe se kishte abuzuar seksualisht dhe emocionalisht me të. Në listën e artistëve që dolën në mbështetje të Kesha-s, Taylor mungoi, gjë që për Demi-n ishte e pafalshme. Më vonë, ajo mohoi të ketë pasur gjë personale me Swift, por në sherrin Kim-Kanye kundër Taylor, Lovato mbajti anën e Kim-it dhe Kanye-s.

Reagimi i Demi-t erdhi si pasojë se Taylor vendosi ta bënte çështjen publike duke qenë e vetëdijshme që miliona fansa do t’i kundërviheshin menaxherit të njohur, që bashkëpunon me emra si Justin Bieber apo Ariana Grande.

Taylor shprehet se “i kanë vjedhur muzikën, pa i dhënë mundësinë ta fitojë atë”. Ithaca Holdings e Braun bleu Big Machine Label Group nga themeluesi Scott Borchetta si pjesë e një marrëveshjeje prej 300 milionë dollarësh, raporton Billboard. Swift nënshkroi me labelin nga viti 2006 për albumin e saj debutues deri në vitin 2017, para se të shkonte të Universal Music Group. Kjo do të thotë se këngëtarja nuk ka asnjë të drejtë për projektet e mëparshme muzikore.

Demi Lovato dhe gruaja e menaxherit të famshëm i kundërvihen

Bashkëshortja e Braun, Yael Cohen, reagoi në Instagram në lidhje me gjithë situatën. Sipas saj, këngëtares iu dha mundësia për ta zotëruar katalogun e saj muzikor, por ajo nuk e bëri. “Babai yt është aksioner, ai u njoftua dhe Borchetta e njoftoi personalisht më parë. Pra, nuk e more vesh kur kontrata u bë publike në media."

Në vijim, Cohen ndalet te bullizmi që Taylor pretendon se i është ushtruar nga Braun. “Bota e di se je zënë me të gjithë. Burri im nuk është bullues; e kaloi gjithë jetën e tij duke u përpjekur më shumë për njerëzit sesa për veten. Ti supozohet të jesh shembull për të gjithë."

“Burri im është menaxher, jo Zoti. Nuk mund t’i kontrolloj njerëzit që menaxhon, as veprimet e tyre. Mos i vë faj atij që Kim-i të zbuloi gënjeshtrën,” shton ajo më pas, referuar sherrit Kim-Kanye vs. Taylor Swift.

Yael i bën thirrje këngëtares të kontrollojë fansat, që duket se kanë kërcënuar familjen e saj, përfshirë këtu edhe djalin. “Scooter ishte shumë i entuaziasmuar që punoi me ty. Ai të mbështet dhe beson te ti dhe shpresoj që ti të besosh te vetja po aq sa beson ai. Dhe në fund, nëse mendon se ai mund të kontrollojë klientët, kontrollo ti fansat e tua. Nuk e kupton ende në ç’pikë është situata, por do ta kuptosh më vonë. Shpresoj të kesh dinjitet, klas dhe mirësjellje që t’i lësh fansat jashtë kësaj çështjeje. Tumblr nuk t’i rregullon problemet, një telefonatë po.”