Edicioni i 71 i ceremonisë së ndarjes së çmimeve Emmy do të organizohet pa një prezantues/e. CEO i Fox Entertainment, Charlie Collier, zbuloi se transmetimi i Emmy Awards nuk do të drejtohet nga dikush pasi në vend të kësaj po mendohet si mund të përmirësohet shfaqja.
Duke ndjekur hapat e Oscars, producentët e Emmy shpresojnë që duke hequr dorë nga prezantuesit, të bëjnë pjesë të ceremonisë detaje më interesante duke iu kushtuar më tepër rëndësi serialeve që kanë përfunduar, si për shembull “The Big Bang Theory” apo “Game of Thrones”.
Këtë vit, do të transmetohen disa pjesë nga prodhime ikonike: 30-vjetori i “Seinfeld" dhe “Bevery Hills, 90210”, 25-vjetori i “Friends”dhe “ER”. Burime të ndryshme theksojnë se Emmy nuk e ka në plan të humbasë mundësinë për të nxjerrë në pah shfaqje të tilla.
Collier shtoi se emra të rëndësishëm të Hollywood-it u konsideruan për të qenë prezantues/e, por producentët vendosën të kundërtën.
Kjo është një mënyrë e Emmy Awards për të rritur shikueshmërinë, e cila vitin e kaluar qe më e ulëta në histori, me vetëm 10.2 milionë shikues, një rënie prej 10%. Nisur nga suksesi i Oscars, që pësoi një ngritje me 12%, Emmy kërkon të përmirësohet duke joshur audiencën përmes detajeve interesante, që në këtë rast nuk kanë të bëjnë me moderatorin/en.
Ceremonia do të transmetohet live në Fox nga Microsoft Theater në Los Angeles më 22 shtator. Klikoni këtu për nominimet e këtij viti.