Jemi mbledhur sot këtu për të folur për historinë e dashurisë mes aktorit të nominuar tre herë për Oscar, Johnny Depp dhe këngëtares, aktores dhe modeles franceze Vanessa Paradis.
Si i njohën: Depp dhe Paradis u takuan për herë të parë në vitin 1994 teksa Johnny ishte i lidhur me Kate Moss. Vite më vonë, në 1998-n, u panë sërish në hollin e Hotel Costes në Paris. Siç Depp ka shpjeguar me dhjetëra herë, e bëri për vete shpina e Paradis. “O Zot i Madh, e pashë në anën tjetër të dhomës, e mrekullueshme, e pabesueshme, fantastike. Shpina, shpina,” tha ai për Rolling Stone.
“Kishte veshur një fustan me kurriz të hapur dhe në momentin që pashë atë shpinë, atë qafë... pastaj u kthye dhe i pashë sytë – bum! Aty morën fund ditët e mia të beqarisë,” shpjegoi Depp për The Daily Mail.
Një vit pas këtij takimi, Depp dhe Paradis u bënë prindër për herë të parë. Vanessa solli në jetë një vajzë të quajtur Lily-Rose Depp, tashmë 20 vjeçe. Tre vite më vonë, u bënë prindër të një djali, John Christopher Depp III, tani 17.
Pse adhuroheshin: Keni parë çift më me stil, më me kulturë se ky?
Ndarja: Thashethemet se Depp dhe Paradis ishin ndarë filluan të qarkullonin përgjatë 2011-s dhe u theksuan më tej në janar të 2012-s, kur Depp u shfaq i vetëm në ceremoninë e Golden Globes. Në qershor të 2012-s, çifti konfirmoi se “ishin ndarë miqësisht.”
Paradis refuzonte të diskutonte ndarjen nëpër intervista. Për Elle France ajo tha: “Nuk dua të flas për të. Kush tha se artistët duhet të shesin shpirtin, duhet të ekspozojnë gjithçka. Kam për detyrë të promovoj këtë film dhe albumet e mia, por e imagjinoni dot si është të përfitojnë nga dhimbja jote?” Sidoqoftë, në një intervistë për Harper’s Bazaar që u publikua shkurtimisht pas asaj në Elle, ajo iu referua marrëdhënies së saj me Depp: “Asgjë s’është e sigurt, por kur diçka në dashuri nuk funksionon që nga fillimi, s’ka për të funksionuar ndonjëherë. Mos e provoni. Mund të jesh palumturisht e lidhur, por shumë e dashuruar me tjetrin. Ama, je e palumtur dhe mendon se gjërat mund të ndryshojnë.”
Dy vite pas ndarjes, Paradis tha për Marie Claire U.K. se axhendat e ngarkuara i mbanin larg njëri-tjetrit dhe ndikuan në mbarëvajtjen e marrëdhënies.
Ç’po bëjnë tani: Depp u martua me aktoren Amber Heard në 2015-. Pasi u ndanë një vit më vonë, Heard akuzoi Depp për dhunë. Paradis shkroi një letër në emër të Depp, ku tha: “Johnny Depp është babai i fëmijëve të mi. Është i ndjeshëm, i dashur dhe i dhembshur. Me gjithë zemër mendoj se akuzat e ngritura ndaj tij janë të pabesueshme. Në gjithë vitet me Johnny-n, s’ka qenë kurrë i dhunshëm me mua dhe ai që përshkruani nuk është burri me të cilin kalova 14 vite të mrekullueshme të jetës sime.”
Paradis u martua me shkrimtarin francez, Samuel Benchetrit verën e 2018-s.