Në maj të këtij viti, pasi mblodhën veten nga përfundimi i “Game of Thrones” në mënyrën më të paparashikueshme të mundshme, me të drejtë fansat vendosën në pikëpyetje suksesin e mëtejshëm të HBO. Për shkak të popullaritetit si një nga serialet më të mirë të të gjitha kohërave, zëvendësimi i GOT u duk i pamundur. Por ja që HBO solli disa prodhime cilësore që zëvendësuan me sukses “Game of Thrones”. Së fundmi, “Watchmen”, që ka premierën nesër (e diel, 20 tetor) është një tjetër serial i vlerësuar nga kritikët që do të adhurohet nga fansat e “Game of Thrones”.
Seriali është i mbështetur te novelat grafike të DC Comics, shkruar Alan Moore (i njohur ndër të tjera edhe për “V for Vendetta”, “The Ballad of Halo Jones”, “Batman: The Killing Jokes” etj) dhe realizuar nga artisti Dave Gibbons në 1986-n. Megjithatë producenti Damon Lindelof, njeriu pas “Lost” dhe “The Leftovers”, thuhet se është kujdesur që “Watchmen” të vijë si një remiks gjërash. Thuhet se shikuesve nuk ua merr mendja se ç’do të ndodhë, karakteristikë kjo që do të bëjë për vete fansat e “Game of Thrones”.
Seriali i vendos ngjarjet në një realitet alternativ, ku Shtetet e Bashkuara udhëhiqen nga Robert Redford, presidenti që ka qëndruar më gjatë në detyrë. Pasi një grup, që e quan veten “Kalorësia e Shtatë”, sulmon shtëpitë e policëve, këta të fundit detyrohen të përdorin maska.
Kasti i aktorëve përfshin: Regina King, Jeremy Irons, Don Johnson, Jean Smart, Tim Blake Nelson, Louis Gossett Jr., Yahya Abdul-Mateen II, Hong Chau, Andrew Howard, Tom Mison, Frances Fisher, Jacob Ming-Trent, Sara Vickers, Dylan Schombing dhe James Wolk.

Vitet e fundit, tregu kinematografik ka sjellë gjithnjë e më tepër prodhime të bazuara në comics, si “Black Panther”, “Guardians of the Galaxy", "Justice League", "Suicide Squad” etj., ndonëse zakonisht kanë qenë zhgënjyes, me përjashtim të dy të parëve.
Megjithatë kritikët e kanë vlerësuar së tepërmi “Watchmen”, serialin me nëntë pjesë të HBO-së. Ata theksojnë se edhe nëse nuk keni përvojë me superheronjtë e Marvel apo DC Comics, filmin do ta shijoni po njësoj pasi është i kuptueshëm për të gjithë shikuesit.