Menjëherë pas tragjedisë së tërmetit të 26 nëntorit, producenti i “Këngës Magjike”, Ardit Gjebrea, e kishte ndarë mendjen që finalja e festivalit, e programuar për datat 4-5 dhe 7 dhjetor, do të shtyhej. Por dy ditë qëndrimi në Thumanë, një nga zonat më të prekura të tragjedisë, ja ndryshuan këtë mendim. "Po flisja me një prej familjeve të prekura nga kjo dramë, famija Caci dhe vendosa aty për aty, që pse mos t'i kthejë netët finale në një mision, për të ndihmuar në ndërtimin e shtëpisë së kësaj familjeje," pohon producenti për Anabel.al.
Të gjitha fitimet nga shitja e biletave të tre netëve të festivalit do të shkojnë për ndërtimin e kësaj shtëpie. Kjo nismë u përqafua edhe nga të gjithë artistët pjesëmarrës. "Ashtu si unë, edhe shumë këngëtarë konkurrentë shqiptarë dhe të huaj në fillim menduan se do të ishte shumë herët për të organizuar festivalin. Por pasi u thashë idenë që ta kthenim këtë garë në një mision humanitar, të gjithë ishin entuziastë dhe të gatshëm për të kontribuuar."
Publiku do të njihet me historinë e familjes Caci gjatë “E diela Shqiptare" dhe më pas misioni për rindërtimin e shtëpisë do të transferohet në skenën e Pallatit të Kongreseve.
"Ne këtë kemi në dorë, artistët do këndojnë dhe jo më për garë, por për art dhe kontribut," shkruan Gjebrea në postimin e tij në Instagram.
View this post on Instagram