
Pas përfundimit të pandemisë, Bashkia e Tiranës do të sanksionojë nismën “Fundjava pa makina”. “Në momentin që do të çlirojmë të gjitha aktivitetet dhe do t’i kthehemi jetës normale, do të sanksionojmë fundjavën pa makina, jo nga halli, por nga pasioni për t’u dhënë ajër më të mirë fëmijëve tanë,” u shpreh kryebashkiaku Erion Veliaj në një intervistë me “Repolitix” në Report Tv.
Në rrjetet sociale të Anabel, në Facebook dhe Instagram, një pjesë e njerëzve e përkrahën nismën, ndërsa disa të tjerë gjetën hapësirë për të shprehur disa shqetësime në lidhje me këtë praktikë të re, që synon të pakësojë ndotjen e ajrit që shkaktohet nga lëvizja e shumtë e makinave, qoftë në distanca të shkurtra.
Problemi që u përmend më shpesh është transporti publik. “Autobusët janë në kushtet minimale, nuk ndizen kondicionerët, disa dyer nuk mbyllen mirë dhe gjatë gjithë kohës janë të mbushur plot me njerëz,” u shpreh një maturante nga Tirana, që gjithashtu theksoi edhe problemin me korsitë e biçikletave. “Dy vitet e fundit të gjimnazit kam preferuar të zgjedh si mjet transporti biçikletën, por e di sa herë kam rrezikuar jetën? Thuajse çdo ditë, kjo për shkakun e të mos paturit të korsive për biçikleta. Në zonat më të popullura nuk ka policë.”
Transporti publik vërtet mund të jetë më i mirë se më parë, por duhet ende shumë punë që të “joshë” edhe njerëzit që përdorin makina për të lëvizur, qoftë për komoditet ashtu edhe për shpejtësi.
Një tjetër problem i përmendur lidhet me largimin nga kryeqyteti gjatë fundjavës. Shumë familje zgjedhin t’i largohen paksa rrëmujës së Tiranës për të pushuar diku gjetkë. E njëjta gjë vlen edhe për familjet nga qytetet e tjera që zgjedhin të kalojnë fundjavën në kryeqytet. “Një tjetër problem do ishte edhe për makinat që vijnë nga rrethet në fundjavë. Vijnë për hall dhe i duhet patjetër makina, vijnë edhe për qejf që të kalojnë një fundjavë në Tiranë me fëmijët duke qenë se rrethet nuk kanë shumë për të ofruar. Si i bie t’i sjell fëmijët për t’u argëtuar dhe të marr urbanin për të soditur?” shkruan dikush te @anabel_media në Instagram.
Me pikëpyetje janë padyshim edhe lëvizjet drejt kryeqytetit apo brenda tij për arsye të rëndësishme, si për shembull problemet shëndetësore apo studentët që vijnë nga qytetet e tjera.
Megjithatë vlen të thuhet se Veliaj nuk u ndal në detaje konkrete përsa i përket mënyrës se si do të procedohet me nismën “Fundjava pa makina”, që do të thotë se mund dhe duhet të ketë zgjidhje specifike për shqetësimet e mësipërme.