Eneda Tarifa nuk do jetë pjesë e sezonit të ardhshëm televiziv të programit të humorit. Përmes një njoftimi në rrjete sociale, ajo u shpreh:
“Më duhet t’ju njoftoj se rrugëtimi im në spektaklin ‘Portokalli’ përfundon këtu. U riktheva me mall në atë skenë kur m’u propozua nga drejtuesit dhe në një farë mënyre ‘e nxorra mallin...’ kur i thonë një fjale. Por është momenti që të sjell në jetë projektet e mia pa më ‘shitur’ dhe pa më ‘blerë’ dikush (sikurse shkruhet në disa portale) dhe vazhdoj të jap kontributin tim artistik në këtë vend.”
Pse largim i papritur? Sepse në një intervistë për Revista Class të publikuar më 14 shkurt, pesë ditë më parë, e pyetur për sezonin e ardhshëm të “Portokalli”, ajo u shpreh:
“Thonë se nuk të shkon mbarë nëse rikthehesh në të njëjtin vend pune pasi je shkëputur një herë, por kush e vlerësoi këtë teori si absolute? Steve Jobs e bëri, kështu që secili prej nesh mund ta bëjë dhe të gjejë një pjesë të shtëpisë që ka lënë, gjysmën e zemrës, të miqve, bashkëpunëtorëve dhe të mos ndihet kurrë i huaj, as i përjashtuar, as i lënë mënjanë, përkundrazi, i mirëseardhur në një vend ku, më shumë se gjithçka, të mban gjallë hareja dhe gëzimi i familjes së madhe – si Portokallia."
Ajo u pyet edhe për sezonin e dytë të “Portokallisë” për të cilin tha se “kemi filluar punën”.
Normalisht, kemi filluar punën dhe jemi duke menduar të gjitha mundësitë që kemi për të krijuar karaktere të reja. Besoj do të kem mundësi të rishfaq ndonjë personazh të ri, frymëzuar nga jeta e përditshme dhe nga karaktere që shohim përditë në jetën tonë. Një karakter që ka pasur shumë sukses ka qenë Eni Vasili, por fatkeqësisht u bë vetëm një herë nga unë. [...] Por parashikoj që me disiplinën që ka çdo aktor atje brenda, do të jetë një sezon gjithashtu i suksesshëm.”
Tarifa u rikthye në “Portokalli” në shtator 2020. Për këngëtaren, kjo nuk ishte një eksperiencë e panjohur pasi ka qenë pjesë e "Portokallisë" për 6 vite me radhë, para se të largohej në vitin 2016. Për momentin, është ende e paqartë se çfarë e shkaktoi largimin e papritur të saj.