Kosova

Vjosa Osmani zgjidhet presidente e Kosovës

Shkruar nga Anabel

4 Prill 2021

Vjosa Osmani zgjidhet presidente e Kosovës

Pas përfundimit të raundit të tretë të votimit, Vjosa Osmani u zgjodh sot presidente e Kosovës.

Nga numërimi i votave në raundin e tretë (via Euronews.al) 11 vota rezultuan të pavlefshme, ndërsa 71 ishin për Vjosën, duke dëshmuar se përveç deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Osmani ka marrë vota dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të Kosovës, pas përjashtimit nga LDK, Vjosa Osmani garoi bashkë me LVV, e cila siguroi një fitore bindëse.

Vjosa Osmani zgjidhet presidente e Kosovës

Në gusht të vitit 2019, Vjosa u bë e para grua që kandidonte për kryeministre të Kosovës. Në nëntor 2020, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, Vjosa Osmani u emërua presidente e Kosovës, pasi siç e parashikon Kushtetuta e Kosovës, nëse presidenti i vendi largohet nga posti i tij para mandatit, atëherë posti i tij i kalon kryeparlamentares. 

Vjosa Osmani është cilësuar jo pak herë nga njerëzit si "gruaja që guxoi të sfidojë burrat e LDK-së", si shembull "humanizmi dhe krenarie" dhe si "zëri më i arsyeshëm në Parlamentin e Kosovës".

Përpara se të kandidonte për postin e kryeministres së Kosovës, Vjosa nuk ishte një emër i panjohur në fushën e politikës. Pasi mbaroi studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Kosovë, Vjosa Osmani, asokohe e shpallur si studentja më e mirë, vazhdoi studimet e nivelit Master në Universitetin e Pitsburg-ut në Amerikë, ku u vlerësua me “Sheth International Achievement Award”, çmim që jepet për kontributin e të rinjve në mbarë botën.