Bota

Rasti ‘Gabby Petito’: FBI konfirmon vrasjen e 22-vjeçares

Shkruar nga Anabel

22 Shtator 2021

Rasti ‘Gabby Petito’: FBI konfirmon vrasjen e 22-vjeçares

Pas një analize mjeko-ligore, FBI bëri me dije se trupi i gjetur në parkun Grand-Teton në Wyoming i përket 22-vjeçares Gabby Petito, e cila u zhduk në fund të gushtit teksa po udhëtonte me të fejuarin, Brian Laundrie, me furgonin e tyre.

Mjeku ligjor i qarkut Teton, Brent Blue, përcaktoi se mënyra e vdekjes së saj ishte vrasja, por nuk zbuloi të dhëna të tjera pasi nuk kanë dalë ende rezultatet përfundimtare të autopsisë. Trupi i Gabby-t u gjet të dielën në një zonë të pazhvilluar të parkut, e rrethuar me shkurre dhe pemë.

Rasti ‘Gabby Petito’: FBI konfirmon vrasjen e 22-vjeçares
Brian dhe Gabby

FBI gjithashtu kërkoi që kushdo që ka informacion në lidhje me rolin e Brian Laundrie në vdekjen e Gabby-t të kontaktojë agjencinë. Hetuesit e konsiderojnë Brian-in një "person me interes". Prindërit e tij u thanë agjentëve të FBI-së që e panë një javë më parë, kur ai u tha se po planifikonte të shëtiste i vetëm në një zonë afër North Port, Florida.

Autoritetet po përdorin helikopterë, dronë, qen dhe oficerë me automjete në të gjithë terrenin për të kërkuar Brian.

Në korrik, Gabby dhe Brian Laundrie nisën një udhëtim me furgonin e tyre. Ata postonin foto dhe video të udhëtimit në Instagram dhe YouTube. Pastaj, më 1 shtator, Brian u kthye nga udhëtimi i vetëm. Dhjetë ditë më vonë, familja e Gabby-t raportoi se ajo ishte zhdukur.

Rasti ‘Gabby Petito’: FBI konfirmon vrasjen e 22-vjeçares

Ngjarja u shndërrua në më të diskutuarën në SHBA, në pjesën më të madhe për shkak të ndërgjegjësimit të krijuar nga njerëzit në rrjete sociale.

Autoritetet e Utah-s publikuan në media një regjistrim të një telefonate në 911 më 12 gusht, data kur disa policë ndaluan çiftin. "Ne kaluam me makinë dhe zotëria po godiste vajzën", i thotë telefonuesi një operatori të 911-s. "Pastaj ne u ndalëm. Ata vrapuan. Ai vazhdoi ta godiste, hipi në makinë dhe ata u larguan."

Policia ka zbuluar se përpara se të zhdukej, Gabby dërgoi mesazhe të shumta me tekst dhe pati shumë biseda me nënën e saj përmes telefonit celular gjatë udhëtimit, ku vihej re se kishte gjithnjë e më shumë tension mes çiftit.

Për më shumë detaje, klikoni këtu.