
Episodi i fundit i “The Dalina Show” në Andale Media për vitin 2025, ishte dhe episodi i fundit i programit siç e kemi ndjekur deri më tani, lajmëroi Dalina Buzi, autorja e programit.
Në hyrje të programit, Dalina shpjegoi me një monolog arsyet për këtë vendimmarrje dhe zbuloi se cila do të jetë vazhdimësia e tij:
“Të dashur miq dhe ndjekës besnikë të “The Dalina Show”, sonte teksa nisim episodin e fundit për vitin 2025, dua të ndaj me ju një vendim të rëndësishëm. Një vendim që nuk ka qenë i lehtë sepse ky program ka qenë një pjesë shumë personale e jetës time.
Për ata që nuk e dinë, unë jam bashkëthemeluese dhe CEO e Ándale Media. Kjo do të thotë që unë kam përgjegjësinë dhe fjalën e fundit për gjithçka që shihni dhe do të shihni në këtë platformë. Kjo përgjegjësi kërkon vizion, punë të përditshme, gabime, korrigjime dhe fokus të plotë.
Është e rrallë që një drejtues i një medie me kaq shumë prodhime të jetë njëkohësisht edhe krijues, edhe moderator. Gjatë këtij viti unë kam drejtuar mbi 50 episode të “The Dalina Show”, kam dëgjuar qindra histori dhe bashkë me kryeredaktoren e programit, Elona Jaçellarin, dhe Jonën kemi kaluar orë të tëra duke krijuar një hapësirë ku njerëzit të ndihen realisht të dëgjuar.
E krijova “Seancën e Parë” për t’u thënë shqiptarëve që ekziston një vend në media ku historitë nuk përdoren, nuk trajtohen sipërfaqësisht dhe ku e vërteta ka vend edhe kur nuk duartrokitet.
Shpesh kam dalë nga kjo studio më e lodhur, por edhe më e pasur si njeri. Sot po tërhiqem nga ky program jo sepse po largohem nga njerëzit, por sepse po largohem nga një rol që e kam jetuar deri në fund.
Viti i dytë i Ándale kërkon fokusin tim të plotë si CEO, prapa skene, për të ndërtuar struktura, institucione dhe vazhdimësi.
“Seanca e Parë” nuk ka më nevojë për mua, Jona është zëri profesionist që ju duhet dhe Elona do të vazhdojë ta udhëheqë këtë format me të njëjtin integritet.
Ju më keni dhënë besimin tuaj dhe këtë nuk e kam marrë kurrë si të mirëqenë, unë do të jem këtu duke punuar që Ándale të sjellë edhe më shumë prodhime me kuptim.
Udhëtimi ynë i përbashkët nuk mbyllet këtu, ai sa po hyn në një fazë tjetër.
Ju faleminderit nga zemra. Ju dua dhe gëzuar festat!”
Pra, “The Dalina Show” do të transformohet në “Seanca e Parë”, ajo pjesë e programit që gjithmonë ka ekzistuar, thjesht tani do të moderohet prej Elona Jaçellarit, gazetare me mbi 20 vite eksperiencë në media, e cila ka shërbyer dhe si kryeredaktorja e emisionit deri më tani. Si gjithmonë, terapia e njerëzve që vijnë me besim për historitë e tyre në studio do të kryhet dhe me psikologen Jonarda Kërkuti, themeluese e platformës Psikologu Online. Me këto ndryshime tashmë të zbuluara, “Seanca e Parë” nis sezonin e ri në vitin 2026, deri në një lajmërim të dytë.