
Të gjithëve na ka ndodhur të blejmë diçka që në fund rezulton jo aq e vlefshme. Ndonjëherë një send duket perfekt në Instagram, por zhgënjen sapo vendoset në shtëpi.
Shmangia e këtyre zgjedhjeve ju ndihmon të kurseni buxhetin dhe hapësirën për elementë që ia vlejnë vërtet, si një komodinë antike që e doni me zemër apo një llambë që bëhet pika kryesore e dhomës.
Ja cilat janë sendet që, sipas profesionistëve, duhet t’i lini në dyqan:
1. Tapete shumë të vegjël

Një tapet që nuk përshtatet me hapësirën prish gjithë harmoninë. Sipas dizajneres Marie Cloud nga Indigo Pruitt Design Studio, tapeti duhet të jetë mjaftueshëm i madh që të paktën këmbët e përparme të mobilieve të qëndrojnë mbi të. Përndryshe, dhoma duket e copëzuar dhe e paqëndrueshme vizualisht.
2. Dekor me fjalë varur në mure

Tabela me shkrime si “family”, apo “love”, apo ndonjë shprehje motivuese mund të duken të lezetshme, por dizajnerja Sara Malek Barney paralajmëron se shpesh japin ndjesinë e diçkaje të sforcuar dhe të dalë mode. Jo çdo cep i shtëpisë ka nevojë për etiketë.
3. Bimë artificiale

Edhe nëse nuk jeni ekspertë me bimët, ka shumë alternativa natyrale që kërkojnë pak mirëmbajtje. Bimët artificiale mbledhin pluhur dhe nuk sjellin energjinë që jep një bimë e vërtetë. Hapësira duket më e freskët dhe më e gjallë me gjelbërim natyral.
4. Komplete mobiliesh identike

Të blesh divanin, tavolinën dhe komodinën që përputhen 100% mund të duket zgjedhje e sigurt, por dizajnerët thonë se kjo e bën shtëpinë të duket si sallon ekspozite. Bukuria e dekorimit qëndron te kombinimi i elementëve që plotësojnë njëri-tjetrin pa qenë identikë.
5. Mobilie “të shpejta” dhe të lira

Mobiliet masive, të lira dhe jo cilësore mund të duken zgjidhje e mirë për momentin, por nuk zgjasin. Përfundimi? Shpenzoni dy herë. Investimi në pjesë cilësore dhe të përjetshme kursen para dhe shmang mbeturinat e panevojshme.
6. Blerjet impulsive nga reklamat

Një reklamë në rrjete sociale nuk është arsye për të klikuar menjëherë “shto në shportë”. Dizajnerët sugjerojnë të blini me vetëdije: nëse diçka ju duhet vërtet, do ta mendoni dy herë dhe do ta zgjidhni me kujdes. Çdo objekt në shtëpi duhet të ketë kuptim.
7. Perde të gabuara

Perdet shumë të shkurtra ose pa rënie të bukur mund ta prishin të gjithë estetikën. Mbulimi i dritareve duhet të jetë i menduar mirë dhe në përmasa të sakta. Një zgjedhje e gabuar mund ta bëjë dhomën të duket e papërfunduar.
8. Korniza të çrregullta për foto

Fotot familjare janë të çmuara, por shumë korniza të ndryshme në forma e ngjyra krijojnë kaos. Më mirë t’i gruponi në një mur ose në një sipërfaqe të dedikuar, duke zgjedhur korniza që shkojnë për një pamje më të unifikuar.
9. Dekor i tepruar tematik

Shtëpi plot me elementë deti mund të duket e ekzagjeruar. Më mirë zgjidhni detaje të lehta që e tregojnë stilin përmes teksturave dhe ngjyrave, pa e kthyer shtëpinë në skenografi.



