
Dua Lipa, një nga emrat më të mëdhenj të muzikës pop sot, ka marrë një vendim të fortë në karrierën e saj: ka shkarkuar agjentin që e përfaqësonte, pasi ky i fundit nënshkroi një letër kundër grupit irlandez Kneecap, i cili njihet për mesazhet e hapura pro Palestinës.
Historia fillon disa muaj më parë, pak para festivalit të madh të Glastonbury. Një grup artistësh dhe përfaqësuesish të industrisë muzikore dërguan një letër private tek themeluesi i festivalit, Michael Eavis, ku kërkonin që Kneecap të përjashtohej nga lista për të performuar. Arsyeja? Grupi kishte shprehur hapur solidaritet me Palestinën dhe kishte bërë thirrje kundër luftës së Izraelit në Gaza.
Letra rrodhi dhe në media dhe shkaktoi një furtunë reagimesh. Në vend që të përjashtoheshin, Kneecap dolën në skenë dhe performuan para një publiku të madh.
Por ajo që bëri më shumë zhurmë ishte fakti që ndër nënshkruesit e letrës ishte edhe David Levy, agjenti i Dua Lipës në agjencinë e njohur WME. Sipas një burimi për The Mail on Sunday, vendimi i Dua-s për ta shkarkuar ka lidhje të drejtpërdrejtë me bindjet e saj:
“Ajo e sheh si mbështetës të luftës së Izraelit në Gaza dhe trajtimit të tmerrshëm të palestinezëve. Përmes firmës së tij në këtë letër, kjo u bë shumë e qartë.”
Ky nuk është rasti i parë kur Dua Lipa shpreh publikisht qëndrimin e saj pro-Palestinë. Në rrjete sociale ajo është shprehur disa herë kundër dhunës dhe krimeve të luftës në Gaza, pavarësisht kritikave që ka marrë nga qarqe të fuqishme politike e mediatike.
Ndërkohë, Kneecap vazhdon të jetë në qendër të polemikave. Një prej anëtarëve të grupit, Liam (Mo Chara), është akuzuar në Mbretërinë e Bashkuar për një shkelje të ligjit antiterrorizëm, pasi dyshohet se ka shfaqur një flamur të Hezbollah-ut gjatë një koncerti. Grupi i ka mohuar akuzat dhe thotë se gjithçka është një përpjekje për t’i heshtur, ndërsa së fundmi ata u ndaluan edhe në Kanada, ku nuk u lejuan të performonin.
Në një tjetër zhvillim, mbi 400 muzikantë dhe kompani menaxhimi nga mbarë bota kanë firmosur nismën “No Music for Genocide”, duke tërhequr muzikën e tyre nga tregu izraelit në shenjë proteste kundër asaj që ata e quajnë “spastrim etnik dhe masakra e popullsisë palestineze”.