
Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka hapur për publikun platformën online të “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”, me domenin fjalori.online, duke ofruar qasje të lirë për të gjithë përdoruesit.
Ky fjalor shërben si një burim i rëndësishëm për shkrimtarët dhe publicistët, për nxënësit dhe studentët, për mësuesit dhe pedagogët, si edhe për këdo që merret me përdorimin dhe kultivimin e gjuhës shqipe.
“Fjalori i madh i gjuhës shqipe” është rezultat i punës së një ekipi të gjerë hartuesish, redaktorësh dhe korrektorësh, nën drejtimin e Akademik Jani Thomait si kryeredaktor dhe dy zëvendëskryeredaktorëve, Akademik Valter Memishaj dhe Prof. Dr. Shezai Rrokaj.
“Fjalori ka rreth 125 mijë njësi leksikore, përfshirë mbi 105 mijë fjalë, 12 mijë e 500 njësi frazeologjike, shprehje të huaja të paasimiluara, si edhe mbi 1200 akronime. Është një vepër e mirëfilltë shkencore," u shpreh Memushaj për Report TV.
Gjatë një periudhe nëntëmujore nga hapja e platformës, do të mblidhen mendime, sugjerime dhe plotësime nga publiku, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të fjalorit. Pas përfundimit të kësaj faze, Redaksia e Fjalorit, në bashkëpunim me Koordinatorin Teknik, do të shqyrtojë dhe përpunojë sugjerimet e mbledhura brenda një afati tremujor.
Paralelisht me versionin digjital, është parashikuar që vepra të botohet edhe në formë të shtypur, në dhjetë vëllime, duke përmbyllur një nga projektet më të rëndësishme leksikografike në gjuhën shqipe.