
I ftuar në Grida Duma Podcast, balerini Gerd Vaso foli për herë të parë për ish-bashkëshorten e tij, balerinën Enada Hoxha.
Pa e pyetur ende Grida, Gerd Vaso e futi vetë në bisedë Enadën duke përmendur disiplinën e saj të pashoqe në punë dhe regjimet strikte ushqimore që ajo ndjek. Kjo mënyrë strikte e të jetuarit e Enadës, sipas Gerdit, vazhdonte dhe në jetën e tyre familjare:
"Unë nuk kam marrë asnjëherë vendime, unë bija dakord me vendimet që merrte Enada. Bija dakord ose pranoja vendimet që merrte Enada. Kishte dhe momente të caktuara që ndoshta nuk mund të isha dakord, edhe në aspektin e punës flasim shumë, po gjithmonë ruaja, doja atë qetësinë. Doja atë qetësi, nuk doja të krijoja situata."
Dhe ky perfeksionizëm duket se me kalimin e kohës u kthye në një problem për marrëdhënien e tyre:
"Është shumë e vështirë të punosh bashkë. Është e bukur në fillim. Gjatë rrugëtimit pastaj kupton që gjërat bëhen akoma dhe më të vështira, sepse unë në punën time, në profesionin tim nuk kam pasur gjithmonë atë... ta quajmë 'egoizëm', apo gjithmonë egoizëm për të mirë të Nadës.
Nada e dashuronte baletin ekstrem, në ekstrem dhe profesioni në një farë mënyre për Enadën ishte shumë i rëndësishëm dhe parësor. Për mua nuk ishte, është ajo që nisëm në fillim, për mua kishte një lloj kufiri deri këtu. Deri këtu unë mundem, përtej kësaj nuk mundem.
Unë nuk mundem dot të punoj me orare që nuk më mbajnë më mua, nuk më japin më kënaqësi mua. Unë punoj aq sa ç’marr kënaqësinë përtej kënaqësive të mia, jashtë kënaqësive të mia unë nuk dal."
Më tej, Gerdi tha se si e ndikoi divorci nga Enada. Ai shprehu si fillim se nuk kishte qenë vendimi i tij, ndryshe nga ç'është krijuar përshtypja, dhe se kishte humbur shumë dhe doli nga vetja gjatë asaj periudhe të vështirë:
"Në këtë jetë në qoftë se në një moment të caktuar në fund të fundit Nada humbi Gerdin, unë gjatë rrugëtimit tim mund të kem humbur shumë gjëra. [...] Personalitetin tim, dinjitetin tim karakterin tim im, Gerdin që isha i vërteti, i qeshuri me miq, me shokë, me shumë gjëra. [...] U fokusova në familje, u fokusova në profesion, u fokusova komplet në një jetë tjetër. [...] Patjetër që dola nga vetja, dola nga vetja ime për dashurinë, dola nga vetja ime për profesionin, për karrierën."