
James Van Der Beek, aktori i njohur më së shumti për rolin kryesor në serialin e suksesshëm të viteve ’90, Dawson’s Creek, ndërroi jetë në moshën 48-vjeçare.
“Me dhimbje njoftojmë se James David Van Der Beek u nda nga jeta paqësisht këtë mëngjes. Ai i përballoi ditët e fundit me guxim, besim dhe dinjitet,” shkruhet në një deklaratë të publikuar të mërkurën në faqen zyrtare të Van Der Beek në Instagram.
“Ka shumë për të treguar rreth dëshirave të tij, dashurisë për njerëzimin dhe rëndësisë së kohës. Ato ditë do të vijnë. Për momentin kërkojmë privatësi dhe qetësi ndërsa vajtojmë bashkëshortin, babanë, djalin, vëllanë dhe mikun tonë të dashur.”
View this post on Instagram
Pasi u publikua lajmi i ndarjes nga jeta të aktorit, kolegët e James Van Der Beek nga seriali "Dawson’s Creek" i bënë homazhe. Van Der Beek luajti rolin e Dawson Leery-t për gjashtë sezone dhe u shndërrua në një ikonë të kulturës pop.
“Zemra ime dhemb për të gjithë ne sot… për çdo person që e njihte dhe e donte James Van Der Beek, për këdo që e vlerësonte punën e tij, ose pati mundësinë ta takonte,” shkroi aktorja Busy Phillips, e cila luajti rolin e Audrey Liddell, shoqes së kolegjit të Dawson-it, në një postim në Instagram.
“James Van Der Beek ishte një në një miliard dhe do të na mungojë gjithmonë.”
Aktorja Mary-Margaret Humes, që interpretoi nënën e Dawson-it, e përshkroi Van Der Beek si një njeri të guximshëm dhe vlerësoi dinjitetin e tij gjatë përballjes me sëmundjen.
“Bisedat tona të fundit… vetëm pak ditë më parë… do të mbeten gjithmonë të ruajtura në zemrën time,” shkroi ajo në Instagram.
Aktori Kerr Smith, që luajti rolin e Jack McPhee, një mik i Dawson-it, dhe Chad Michael Murray, që interpretoi Charlie Todd, gjithashtu kujtuan Van Der Beek në komente në postimin e familjes së tij mbi njoftimin e ndarjes nga jeta të aktorit.
“Jam shumë mirënjohës që mund ta quaja James një vëlla. Do të më mungojë shumë,” shkroi Smith.
“James ishte një ikonë,” shtoi Murray. “Fjalët, arti dhe njerëzimi i tij na frymëzuan të gjithëve, na frymëzoi të bëhemi më të mirë në çdo mënyrë.”
Faqja zyrtare e serialit në rrjetet sociale gjithashtu e nderoi Van Der Beek, duke e përshkruar performancën e tij si një që ndihmoi në formësimin e një gjenerate të tërë televizive.

Në nëntor të vitit 2024, Van Der Beek zbuloi se ishte diagnostikuar me kancer në zorrën e trashë, ndërsa përgatitej të merrte pjesë në emisionin bamirës amerikan “The Real Full Monty”. Bazuar në filmin britanik “The Full Monty”, programi përfshinte një grup personazhesh të njohur që zhvisheshin në skenë për të rritur ndërgjegjësimin mbi kancerin. Në nëntor të vitit 2025, ai njoftoi se po planifikonte të shiste në ankand disa sende dhe kujtime që kishte ruajtur gjatë punës në filma dhe seriale, për të mbuluar shpenzimet e trajtimit të kancerit.

I lindur në Connecticut në vitin 1977, Van Der Beek fillimisht ishte më i dhënë pas sportit se sa artit, derisa pësoi një tronditje të rëndë cerebrale si pasojë e një aksidenti të rëndë që ndodhi teksa luante futboll gjatë fëmijërisë. Mjekët e këshilluan të mos merrej me sport për një vit, dhe ai iu përkushtua aktrimit, duke marrë rolin kryesor, Danny Zuko, në shfaqjen muzikore "Grease".
Ai u bë i famshëm në vitin 1998 me rolin e Dawson Leery-t, adoleshentit të apasionuar pas filmit, po aq i fiksuar pas Steven Spielberg-it sa edhe pas fqinjës dhe dashurisë së tij të hershme, Joey Potter. Po atë vit, revista People e përfshiu në listën e “Njerëzve më të Bukur në Botë”. Në 25-vjetorin e nisjes së serialit, ai shkroi:
“Para njëzet e pesë vitesh, jeta ime ndryshoi. Jo gradualisht, jo ditë pas dite… Por menjëherë. Ishte kulmi i pesë viteve audicioneve, qindra orëve në skenë, mijëra orëve udhëtimi, përgatitjeje, ëndrrash, shprese, dëgjimit të ‘jo’-ve dhe gjetjes së arsyeve për të vazhduar. Por ndryshimi ndodhi brenda natës.”

Presioni i famës ishte i vështirë për t’u përballuar në një moshë kaq të re. Pas suksesit të Dawson’s Creek, ai deklaroi:
“Të ecje në rrugë në atë kohë ishte shumë e vështirë, sepse një autograf mund të shndërrohej në një turmë të tërë. Ecja me frikën e vajzave adoleshente.”
Edhe pas mbarimit të serialit, për vite me radhë ai vazhdonte të pyetej nëse do të kishte një ribashkim të kastit. Në vitin 2017 tha:
“Ndjeva se e kisha mbyllur atë kapitull dhe nuk doja ta rihapja më.”
Megjithatë, pas njoftimit se u diagnostikua me kancer, u organizua një ribashkim me qëllim bamirësie nën pjesëmarrjen e tij dhe ish-kolegëve Katie Holmes, Michelle Williams dhe Joshua Jackson. Ai nuk arriti të ishte i pranishëm atë ditë për shkak të problemeve shëndetësore, dhe rolin e Dawson-it e interpretoi Lin-Manuel Miranda.
