
Zëdhënësi i princit dhe princeshës së Uellsit publikoi deklaratën e parë të çiftit mbi dosjet Epstein. Kate Middleton dhe princi William kanë shprehur mbështetjen e tyre për viktimat e Jeffrey Epstein. Sipas deklaratës, të dy ata janë shumë të shqetësuar për zbulimet e bëra pas publikimit të miliona faqeve dokumentesh nga dosjet Epstein, tha zëdhënësi i tyre.
“Mund të konfirmoj se princi dhe princesha janë thellësisht të shqetësuar nga zbulimet e vazhdueshme. Mendimet e tyre mbeten te viktimat,” tha zëdhënësi nga Arabia Saudite, ku princi William ndodhet në fillim të një vizite zyrtare tre-ditore.

Kjo është hera e parë që William dhe Kate adresojnë drejtpërdrejt këtë skandal, i cili ka rikthyer vëmendjen e publikut ndaj lidhjeve të xhaxhait të William-it, Andrew Mountbatten-Windsor, ish-princit Andrew me Jeffrey Epstein. Xhaxhait të tij iu hoqën gjithë titujt mbretërorë për shkak të përfshirjes në këtë skandal, madje mediat raportuan së fundmi se ai ishte larguar fshehurazi nga shtëpia e tij, Royal Lodge, në mes të natës.

Ky vendim u tha se u mor nga mbreti Charles dhe princi William pas një diskutimi urgjent që u zhvillua mes tyre. Sipas raportimeve të një burimi për Daily Mail, gjendja mendore e ish-princit nuk është aspak e mirë dhe qëndrimi i tij në pallat nuk do të pritej mirë nga publiku, pasi ai vazhdonte të shijonte privilegjet mbretërore.

Burime pranë çiftit u shprehën se që prej fillimit të heqjes së titujve, Kate dhe William kanë mbështetur çdo vendim që është marrë ndaj ish-princit. Ndërkohë, deklarata e tyre përfundonte me fjalët:
“Lartmadhëritë e tyre dëshirojnë të bëjnë të qartë se mendimet e tyre kanë qenë dhe do të mbeten gjithmonë me viktimat dhe të mbijetuarit e çdo forme abuzimi.”

