
Jeff Bezos duket se po shqyrton një investim personal prej miliarda dollarësh si një dhuratë për bashkëshorten e tij, Lauren Sánchez, sipas një raporti të Daily Mail. Bëhet fjalë për një blerje të mundshme të grupit të njohur mediatik Condé Nast, i cili zotëron revista ikonike si Vogue dhe Vanity Fair.
Sipas burimeve, brenda stafit të Condé Nast është krijuar bindja se “diçka po ndodh”. Shfaqja e Sánchez në kopertinën e Vogue në ditën e dasmës së saj me Bezos, më 27 qershor, është interpretuar nga shumëkush si një sinjal se negociatat mund të jenë në zhvillim.
Familja Newhouse, që e ka në pronësi Condé Nast që prej vitit 1959, raportohet se është në proces të tërheqjes nga investimi. Shkurtimet e fundit të stafit dhe reduktimi i pranisë së kompanisë në New York po interpretohen si shenja përgatitore për një shitje të afërt. Siç shkruan Daily Mail:
“Po zvogëlojnë biznesin, një shenjë klasike që një blerje është në horizont.”
Sipas The Hollywood Reporter, çmimi i mundshëm i blerjes përllogaritet rreth 5 miliardë dollar, shumë që Bezos mund ta përballojë lehtësisht, duke qenë se nuk është i huaj për botën e medias: në vitin 2013 bleu gazetën The Washington Post për 250 milionë dollarë.
Megjithëse përfaqësues të Bezos e kanë mohuar raportimin duke e cilësuar si “plotësisht të pavërtetë”, thashethemet vazhdojnë. Daily Mail përmend rolin e mundshëm të Anna Wintour, drejtoreshës së gjatë të Vogue-ut, e cila së fundmi hoqi dorë nga titulli i kryeredaktores, por mban ende pozicionin e drejtueses globale të përmbajtjes për Condé Nast. Thuhet se ajo mund të jetë ndërmjetësuese kyçe në marrëveshje dhe se ka interesa të drejtpërdrejta financiare në një shitje të mundshme.
“Anna ka aksione në kompani dhe mund të përfitojë ndjeshëm nga një shitje,” tha një burim për median. Një tjetër burim shtoi: “Jeff e ka mundësinë, Lauren është shumë e zgjuar. Po zhvillohen bisedime serioze.”
Aktualisht, nuk ka konfirmim zyrtar për ndonjë marrëveshje. Bezos dhe Sánchez janë ende në muajin e mjaltit në Evropë, pasi u martuan me një ceremoni luksoze në Venecia. Megjithatë, çështja Condé Nast mbetet në vëmendje, jo vetëm për rëndësinë financiare, por edhe për ndikimin që mund të ketë në botën e modës, medias dhe investimeve personale të miliarderëve.