
Fushata më e fundit reklamuese e aktores Sydney Sweeney ka shkaktuar polemika të mëdha në rrjetet sociale, me shumë përdorues që akuzojnë aktoren dhe kompaninë American Eagle për përhapje të “propagandës naziste” dhe mesazheve me nënkuptime raciste.
Fushata mban titullin “Sydney Sweeney ka gjene/xhinse të shkëlqyera”, një lojë fjalësh midis “gjeneve” (genes) dhe “xhinseve” (jeans), të cilat shqiptohen njësoj në anglisht. Kjo qasje, megjithëse synonte të ishte kreative, ka ndezur reagime të forta, pasi shumë e kanë interpretuar si një glorifikim të tipareve gjenetike që historikisht janë lidhur me ideologjitë e supremacisë së bardhë.
Në njërën nga reklamat, Sweeney, 27 vjeç, shfaqet e veshur tërësisht me xhinse, ndërsa ecën drejt një billboard-i gjigant me imazhin e saj. Aty, ajo mbulon me bojë të bardhë fjalën “gene” (gjene) dhe e zëvendëson me “jeans” (xhinse). Në një tjetër video, ajo shihet duke mbyllur zinxhirin e xhinseve, ndërsa një zë në sfond shpjegon se si gjenet ndikojnë në tipare si ngjyra e syve, flokëve apo dhe në personalitet.
Momenti që shkaktoi më shumë reagime është kur Sweeney, me sytë e saj blu, shikon te kamera dhe thotë: “Gjenet/Xhinset e mia janë blu”. Meqë të dyja fjalët shqiptohen njësoj në anglisht, nuk është e qartë se cilën prej tyre ka për qëllim. Por shumë përdorues të TikTok dhe platformave të tjera e panë këtë si një përforcim të idesë së “tipareve superiore”, veçanërisht ngjyra e syve blu dhe flokët e çelët, një përshkrim që shpesh është përdorur në retorikën raciste dhe propagandën naziste.
Në një video virale me miliona shikime, një komentues shkroi:
“Kur këto tipare paraqiten vazhdimisht si standard i superioritetit gjenetik, e dimë saktësisht ku shkon kjo histori.”
Reagimet nuk munguan as në faqet zyrtare të American Eagle, ku përdoruesit shprehën zhgënjim:
“Kush e miratoi këtë fushatë?”
“Kjo ndodh kur mungon diversiteti në tryezën krijuese.”
“Ishin aq të fokusuar te loja ‘e zgjuar’ e fjalëve, sa nuk panë mesazhin që po përçonin.”
Fushata mbetet aktive për momentin, ndërsa kompania nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar ndaj kritikave.