Ka disa lajme që nuk kalojnë dot filtrin tonë editorial - jo se janë skandaloze, jo se s’kanë pak “lëng”, por se... le ta themi troç: nuk na bindin mjaftueshëm për t’i marrë seriozisht.
Por ja që jetojmë në një botë ku dikush ka parë dikë me dikë, dikush ka bërë “unfollow”, dhe dikush tjetër ka postuar një citat pasivo-agresiv. Dhe njerëzit duan ta dinë.
“Kujdes, nuk janë lajme! Thjesht për muhabet” është vendi ku i lëmë të gjitha këto copëza - gjysmë të rëndësishme, gjysmë “për muhabet”, ndonjë thashethem që s’e kemi konfirmuar dot (po as e kemi marrë mundimin ta konfirmojmë) dhe disa detaje që ndoshta janë thjesht fryt i imagjinatës kolektive të rrjeteve sociale.
Këtu mund të gjeni gjithçka: nga “çfarë kanë thënë” te “mos e merr për të sigurt”, e deri te “hë, po këtë pse e lexova?”. Nuk janë lajme që do t’ju ndryshojnë ditën. Janë më shumë si ato reels-at që i sheh pa zë, pa dëshirë...por gjithsesi i sheh.
Rezart Veleshnja paska kapur 2 persona nga “Portokallia” duke bërë seks
Kujdes! Polici i seksit po vjen! Rezart Veleshnja, ka treguar në një intervistë për emisionin “Jo veç Kullera” në Andale Media, rrëfeu ndër të tjera se ka kapur 2 kolegë duke bërë seks brenda ambienteve të “Portokallisë”.
“Kam kapur nja dy duke bërë seks bashkë. Ishim brenda Portokallisë. Ishte i përhershëm ky muhabet,”– tha aktori, duke vijuar se nuk i thotë emrat, se nuk do t’u prishë punë dhe të ndahen nga familjet. Mesa duket, qenkan të martuar.
Konkurrentja e “She’s On Top” rrëfen krimin në familje
Konkurrentja e “She’s On Top”, Marigona Hajlilaj, tregoi një histori tronditëse të krimit në familje. Ajo u shpreh se mami i saj ka vrarë bashkëshortin dhe babain e Marigonës, pasi ai ushtronte dhunë dhe tentoi ta vriste me thikë djalin e tij.
“Jetoj në Gjilan me mamin. Vij nga një familje me shumë sakrifica në jetë, sidomos prej mamit. Është se, mami im ka pasur dhunë në familje. Dhunë të theksuar. Unë kam lindur në vitin 2002, nuk i kam përjetuar shumë se kam qenë e vogël ku babi më ka ndërruar jetë. Babi fatkeqësisht ka qenë person që ka dhunuar në familje. Dhunë nga më të këqijat”, tha ajo.
Më tej, shtoi:
“Në vitin 2005 babi ka ndërruar jetë. Babi im ka jetuar në Zvicër, mami ka ndenjur në Kosovë edhe pse ka qenë e martuar dhe ka pasur dy fëmijë. Mami ka dashur të distancohej sa më shumë nga ai person. Shkaku i dhunës ka ardhur deri te vrasja. Kam qenë në atë kohë 2 vjeçe e gjysmë. Mami është munduar në krejt mënyrë ta denoncojë në polici. Shumë herë e ka denoncuar në polici, ka dashur të ndahej nga ai, por nuk ka funksionuar. Situata çdo herë e bëhej më keq, derisa përfundoi në tragjedi. Ka dashur të na vrasë të tërë si familje, ka dashur të vrasë vëllain tim. Mami s’ka pasur zgjidhje tjetër. Babi kishte një thikë në dorë për të vrarë vëllain dhe ne vajzat e tjera. Në qershor të vitit 2005, mami është denoncuar në polici vetë dhe neve na ka marrë shteti. Babi im ka qenë i martuar 3-4 herë më gra të tjera dhe me secilën ka pasur fëmijë. Mami s’ka pasur martesë ligjore me babin. Të gjitha gratë dhe fëmijët e babit kanë çuar letër në gjykatë dhe kanë kërkuar të lirohet mami”.
Xheneta thotë se është kërcënuar nga i dashuri i Kaderit
Xheneta vijon të mbetet pjesë e kësaj rubrike dhe jo për mirë. Tanimë pjesë e “E Diell”, Xheneta tregoi se e ka marrë në telefon i dashuri i Kaderit dhe e ka kërcënuar. Ngjarja ndodhi pasi ajo ka pasur një përplasje me Kaderin në program, ku i ka përmendur emrin e Lumbardhit, ish-it të saj. Kaderi është larguar nga studioja, por sipas Xhenetës, debati paska vijuar.
“Më ka marrë i dashuri i saj në telefon dhe më ka kërcënuar. Janë shumë të ulëta gocat që bëjnë këto gjëra”, u shpreh ajo.
Big Basta, finalisti i tretë i “Ferma VIP”
Big Basta është shpallur finalisti i tretë i “Ferma VIP”. Ai ka falenderuar publikun për mbështetjen. Big Basta do t’i bashkohet në finale Erand Sojlit dhe Big Mamës, ndërsa Ylli, Andueli, Andrea dhe Elinara vijojnë konkurrimin për të qenë finalisti/ja i/e katërt. Finalja e madhe do të mbahet më 20 qershor.
Françeska flet për bullizmin në Londër
E ftuar në emisionin “Në Kurthin e Piter Pan”, Françeska Murati ka folur ndër të tjera për bullizmin që i është bërë në Londër, pasi për të, ka qenë shumë e vështirë përshtatja në Angli.
“Në fillim ka qenë shumë e vështirë dhe është shumë e vështirë për çdo emigrant që shkon në fillimet e veta në Angli. Sidomos atëherë që nuk ka pasur shumë informacion për Shqipërinë se ku është dhe jam bullizuar shumë për faktin që kam qenë shqiptare. Përpos faktit që kam bërtitur shumë që jam shqiptare, sepse më kanë rritur më këtë idenë që duhet të jemi krenarë, asnjëherë të mos kemi turp sidomos ne që kemi shkuar shumë të vegjël dhe jemi përshtatur shumë shpejt. Fatkeqësisht ka ndodhur kjo pjesa e bullizimit, njerëz që të gjykojnë. Prindërit nuk dinin të flisnin mirë anglisht, sidomos kur vinin në takime me prindërit, por janë gjëra që na bëjnë gjëra më të fortë”, u shpreh ajo.
Ç’bëhet nga Limi dhe Alba?
Seria e radhës nga telenovela “Alba, Limi dhe thashethemet”! Alba pranoi se ajo dhe Limi janë ndarë në një intervistë në “Ferma VIP”, përballë Kastro Zizos dhe Inida Gjatës (Zhaku). Ajo s’e tregoi se kush e la kë, sepse kjo s’na duhet, por konfirmoi se dyshja i ka dhënë fund romancës.
Ecim me ca thashetheme nga muzika
Egli do të bashkëpunojë me Lumi B dhe Ghetto Geasy?
Egli Tako mund të sjellë një bashkëpunim të papritur me Lumi B dhe Ghetto Geasy! Prive zbuloi se pas prishjes së raportit me Fifin, Egli do të jetë pjesë e “SBS Entertainment” dhe do të sjellë të tjera bashkëpunime. Ndoshta emrat e sipërpërmendur nuk i prisje, por bota është plot me çudira.
Bardhi gjithashtu rikthehet!
Bardhi mund të vijë me një bashkëpunim me Ronelën dhe pas tij, me Majk! Ja pra, kaq shkurt e shqip! S’do dini cilën këngë të dëgjoni këtë verë.
Luizi lançon bashkëpunimin me Mimoza Shkodrën
Mimoza kaloi nga “një lule nën jorgan” në “meraklie” që i do jorganët xixë. “Meraklie” titullohet bashkëpunimi i parë i Luizit dhe Mimoza Shkodrës dhe mund ta dëgjoni nëse doni të shihni Luizin me 2 kostume të ndryshme dhe syze të errëta.