
Gjyqi mes dy aktorëve kryesorë të filmit "It Ends With Us" vazhdon dhe emra të tjerë janë bërë pjesë e çështjes.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Page Six, aktorja Blake Lively e përshkruan Justin Baldoni-n, regjisorin dhe kolegun e saj në filmin “It Ends With Us” si “regjisori budalla i filmit tim” në disa mesazhe drejtuar Taylor Swift-it.

Sipas pretendimeve të avokatëve të aktorit, në prill të vitit 2023 aktorja i kërkoi Taylor Swift-it të mbështeste ndryshimet që ajo kishte bërë në skenarin e filmit, pa i lexuar ato më parë.
Dokumentet gjyqësore treguan se Taylor Swift iu bind menjëherë kërkesës së saj, madje i shkroi:
"Do të bëj gjithçka për ty!”

Sipas dokumenteve, pasi këngëtarja mbështeti skenarin e shoqes së saj gjatë një takimi me Justin Baldoni-n në apartamentin e aktores, kjo e fundit i dërgoi Taylor Swift-it një mesazh ku e lavdëronte për ndërhyrjen e saj, duke e quajtur Justin Baldoni-n “klloun” dhe duke thënë se ai “ra në kurth”.
“Sot ishe heroike e paparë! Ia tregova çdo moment Ryan-it (bashkëshorti). Vazhdimisht po më kujtoheshin gjëra. Ti duke sajuar gjëra për mua dhe për lentet dhe duke iu drejtuar vetes si "kukulla ime". Ky klloun ra në kurth, edhe pse po përpiqej të rezistonte. Ti je absolutisht shoqja më e mirë në botë.”

Mesazhet që dyshja shkëmbeu mbi aktorin nuk kishin fund, Taylor Swift madje sugjeroi se Justin Baldoni nuk veproi me zgjuarsi kur zgjodhi të përdorte këngën e saj “My Tears Ricochet” në filmin “It Ends With Us”.
Sipas saj, përdorimi i kësaj kënge i jepte fuqi Blake Lively-t dhe jo atij.
"Ke shumë të drejtë… Duhej të mos e përdorte këngë tënde… Sa budallallëk. Kjo ishte mundësia e tij e vetme për të dhënë përshtypjen se kontrolli ishte në duart e tij.”
Në dhjetor të vitit 2024, pak para publikimit të artikullit të New York Times, ku pretendohej se Justin Baldoni kishte zhvilluar një fushatë poshtëruese ndaj Blake Lively-t, këngëtarja i dërgoi një mesazh aktores ku shkruante:
“Besoj se ky idiot e di që diçka po vjen, ndaj ka nisur të bëjë viktimën!”

Në përgjigjen e aktores, e përfshirë gjithashtu në dokumentet gjyqësore, ajo mohoi akuzat se kishte diskutuar paraprakisht me Taylor Swift për artikullin e New York Times. Ajo madje tha se nuk i kishte kërkuar këngëtares të mbështeste ndryshimet në skenar pa i lexuar.
Ndër të tjera, avokatët e aktorit pretendojnë se Blake Lively kishte fyer klientin e tyre përpara të tjerë aktorëve si Ben Affleck dhe Matt Damon.

Përfaqësuesit e dy aktorëve dhe këngëtares Taylor Swift nuk i janë përgjigjur ende kërkesës së Page Six mbi këto të dhëna të reja rreth gjyqit.
Taylor Swift u përfshi për herë të parë në konfliktin mes aktorëve në janar 2025, kur Justin Baldoni paraqiti një kundërpadi ndaj Blake Lively-t.

Disa muaj më vonë, përfaqësuesi i Taylor Swift-it u distancua publikisht nga filmi “It Ends With Us” dhe nga drama ligjore që e rrethoi atë, duke deklaruar se këngëtarja nuk kishte qenë e përfshirë në procesin krijues të filmit dhe as nuk e kishte parë atë deri pas publikimit zyrtar.




