
Dronët ukrainas godasin një nga rafineritë më të mëdha të naftës në Rusi
Dronët ukrainas goditën një nga rafineritë më të mëdha të naftës në Rusi, duke shkaktuar shpërthime dhe një zjarr të madh, sipas ushtrisë ukrainase dhe zyrtarëve rusë.
Sulmi kishte në shënjestër rafinerinë Kirishi, në rajonin e Leningradit në veriperëndim të Rusisë, dhe është pjesë e një serie sulmesh ukrainase ndaj infrastrukturës së naftës në Rusi, që sipas Kievit, ndihmon në financimin e pushtimit të Ukrainës nga Kremlini.
Rafineria operohet nga kompania gjigande ruse e naftës, Surgutneftegas, dhe prodhon rreth 18 milionë ton naftë bruto në vit, duke qenë një nga tre më të mëdhatë në Rusi për nga prodhimi.
Katari dënon Izraelin ndërsa vendet arabe dhe myslimane kërkojnë përgjigje të përbashkët
Katari dënoi Izraelin të dielën, ndërsa ministrat e jashtëm të vendeve arabe dhe myslimane u mblodhën për të shqyrtuar një reagim të koordinuar ndaj sulmit izraelit ndaj Dohas, që kishte në shënjestër udhëheqësinë e organizatës militante Hamas.
“E vlerësojmë solidaritetin e vendeve vëllazërore arabe dhe islame, si dhe të vendeve mike nga komuniteti ndërkombëtar që dënuan këtë sulm barbar izraelit,” tha sheiku Mohammed bin Abdulrahman Al Thani të dielën.
Sheiku Mohammed, i cili është gjithashtu ministri i jashtëm i Katarit, i bëri këto komente para një takimi urgjent të hënën me liderët e vendeve përkatëse.
SHBA dhe Kina do të zhvillojnë raundin e dytë të bisedimeve tregtare në Spanjë
Zyrtarët amerikanë dhe kinezë do të zhvillojnë të hënën ditën e dytë të bisedimeve tregtare në Spanjë, në një kohë kur afati për kompaninë kineze pronare të TikTok për të gjetur një blerës apo për t’u përballur me ndalim në SHBA po afron.
Negociatat drejtohen nga Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, dhe zëvendëskryeministri kinez, He Lifeng. Këto bisedime përfaqësojnë përpjekjen më të fundit për t’i dhënë fund luftës tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë.
Delegacionet më të larta tregtare nga Pekini dhe Uashingtoni u takuan për herë të fundit në korrik, kur ranë dakord të zgjasin armëpushimin e tarifave edhe për 90 ditë të tjera, deri më 10 nëntor.
Legjenda britanike e boksit, Ricky Hatton, gjendet i vdekur në shtëpinë e tij
Legjenda britanike e boksit, Ricky Hatton, është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Hyde, Greater Manchester. Kampioni 46-vjeçar i kategorive të lehta dhe të mesme ishte një nga boksierët më të dashur në historinë e boksit britanik.
Policia e Greater Manchester njoftoi se vdekja nuk po trajtohet si e dyshimtë.
Hatton u shpall kampion bote për herë të parë në vitin 2005 kur mposhti Kosta Tszyu. Ai u tërhoq nga boksi në vitin 2022, por më vonë njoftoi një rikthim me një përballje të planifikuar për dhjetorin e këtij viti.