
Ukraina godet objektiva të rëndësishëm rusë me dronë me rreze të gjatë veprimi
Ushtria e Ukrainës deklaroi të hënën se ka goditur me dronë me rreze të gjatë një fabrikë të madhe municionesh në Rusi, një terminal të rëndësishëm të naftës dhe një depo armësh prapa vijës së frontit, duke shtuar trysninë mbi logjistikën ushtarake të Moskës.
Shtabi i Përgjithshëm ukrainas njoftoi se ka sulmuar fabrikën e municioneve Sverdlov në rajonin Nizhny Novgorod të Rusisë perëndimore gjatë natës, duke shkaktuar disa shpërthime dhe zjarr.
Sipas ushtrisë, kjo fabrikë furnizon forcat ruse me municion për aviacionin dhe artilerinë, bomba ajrore, si dhe armë kundërajrore dhe kundërtanke.
Ursula von der Leyen kërkon unitet përballë përpjekjeve për ta rrëzuar nga posti
Ursula von der Leyen u përgjigj ndaj përpjekjeve të reja për ta rrëzuar nga posti i presidentes së Komisionit Europian, duke bërë thirrje për unitet politik në një kohë kur, sipas saj, "kundërshtarët tanë jo vetëm që janë gati të shfrytëzojnë përçarjet, por edhe i nxisin vetë ato".
Von der Leyen përballet këtë javë me dy mocione mosbesimi të njëkohshme, të paraqitura nga grupet e ekstremit të djathtë dhe të majtë në Parlamentin Europian, vetëm tre muaj pasi ajo i mbijetoi me sukses votës së parë të mosbesimit.
Asnjë nga dy mocionet nuk pritet të kalojë.
Dy vite nga sulmi më i madh terrorist i Hamasit ndaj Izraelit
Dy vite më parë, Hamasi ndërmori sulmin më të madh terrorist në tokën izraelite, duke goditur baza ushtarake dhe një festival muzikor. Gati 1,200 persona u vranë dhe mbi 250 të tjerë u morën peng.
Ishte ora 06:29 e mëngjesit, të shtunën, më 7 tetor 2023, kur një breshëri raketash goditi Izraelin.
Rreth 5,000 raketa u lëshuan nga Hamasi në atë që u quajt "Përmbytja e Al-Aksas".
Grupi militant palestinez e emërtoi operacionin sipas xhamisë Al-Aksa në Jerusalem, e treta më e shenjtë në Islam.
Sistemi i mbrojtjes ajrore i Izraelit, "Kupa e Hekurt" (Iron Dome), u aktivizua menjëherë.
Kjo ngjarje solli dhe luftën e përgjakshme në Gaza.
Izraeli dëbon Greta Thunberg dhe aktivistë të tjerë
Aktivistja suedeze për klimën Greta Thunberg dhe ish-kryetarja e Bashkisë së Barcelonës, Ada Colau, janë mes 171 aktivistëve që u dëbuan nga Izraeli drejt Greqisë dhe Sllovakisë të hënën, pasi dështuan në përpjekjen për të dorëzuar ndihma humanitare në Gaza javën e kaluar.
Aktivistët u ndaluan nga autoritetet izraelite që nga nata e së mërkurës së kaluar, pasi marina izraelite ndaloi 44 anije civile që mbanin një sasi simbolike ndihmash për Gazën.
Qëllimi i flotës ishte të thyente bllokadën e Izraelit ndaj Rripit të Gazës dhe të dorëzonte ndihma jetike për zonën e shkatërruar nga lufta.