
Në një intervistë me Arbana Osmanin, në "Mirëmbrëma Yje", Loredana ka folur për herë të parë për njohjen dhe historinë e dashurisë me Karim Adeyemi-n, futbollistin gjerman të Borussia Dortmund.
Si fillim, Loredana tha se iu desh një vit kohë që të dy ta ndanin mendjen nëse duhet të nisnin një lidhje ose jo, kjo prej diferencës së moshës dhe eksperiencave të ndryshme jetësore që të dy kishin. Loredana ishte 27 vjeç kur u njoh me Karim-in, kurse ai 21.
"Kemi pasur nevojë 1 vit derisa tamam jemi stabilizuar, kemi kuptuar se çfarë po ndodh. Më shumë ka qenë për mua jo serioze, 'është shumë i ri', 'nuk shkon absolutisht', 'nuk përshtatet', 'çfarë do thotë nëna?'. Në mendimet e mia s'ka qenë fare. Por pastaj duke dalë, edhe pse në atë kohë ka qenë 21 vjeç...thoja me 21-vjeçar nuk ka shanse. Edhe pse tani, është o Zot, sikur është 50, është shumë i pjekur."
Mosha ka qenë ndër diskutimet më të shpeshta në fillimet e tyre, por tani, në 4 vite së bashku, Loredana thotë se nuk ndien asnjë lloj pengese, sepse Karim-i është një djalë shumë i pjekur:
"Edhe ai gjithmonë thoshte 'pse gjithmonë ma përmend moshën? Unë jam 21, nuk duhet të ma përmendësh më, unë jam i pjekur,' gjithmonë mundohej të ma shpjegonte. Unë i thoja 'po, po ti nuk ke përjetuar çfarë kam përjetuar unë'. Tani që unë jam 30 dhe ky 24, kam menduar se kam më shumë eksperienca, por në fakt ky nuk ka pasur nevojë për këto eksperienca, e ka kuptuar jetën, kështu që është në një nivel më mirë se unë."
Dashuria e tyre është ndërtuar dalëngadalë, por ajo që e ka bindur më së shumti Loredanën ka qenë kujdesi i pakushtëzuar i Karim-it ndaj vajzës së saj, Hanës:
"Ajo që më ka bërë përshtypje ishte se kur dilja me të thoshte 'pse s'e merr vajzën?' Unë isha pak si në siklet se unë e mbroj Hanën maksimalisht dhe thoja 's'dua ta takojë', isha pak si në panik, por kur e kam parë në momente me vajzën, ai ka qenë për mua [i duhuri]."
Loredana foli edhe për komentet raciste që kanë marrë për shkak të lidhjes së tyre, duke treguar se e gjitha ndodh më së shumti online, pasi në Kosovë e Shqipëri për shembull, Karim-i është mirëpritur:
"S'kam qejf të viktimizohem, as ky s'ka qejf të viktimizohet, normal që ka pasur komente. Edhe unë e kam pasur atë mendimin që e dua shqiptar, po ky tani më duket më shqiptar se vetja. Ky e do Shqipërinë dhe Kosovën aq shumë, sa kjo më ka bindur akoma më shumë. Ka thënë 'Pse? Sa të mirë njerëzit!' Në Kosovë shumë mirë e kanë pritur."
Por si e priti familja e Loredanës Karim-in?
"Si ta prisnin? Kanë thënë 'më mirë mos t'i themi gjë se kjo do bëjë atë që do vetë' dhe kanë besim shumë tek unë. Tani raporti mes nënës dhe Karim-it është fenomenal. Nëna ime e do shumë."
Të njëjtën marrëdhënie shprehu se kishte dhe ajo me vjehrrit e saj. Përsa i përket planeve për zgjerimin e familjes, Loredana zbuloi se ka shumë dëshirë, por është ende e lënduar nga martesa e parë dhe për të, u duk qartë se martesa është diçka e shenjtë, ndaj do të mendohet mirë para se të ndërmarrë hapa seriozë:
"Normal që kam qejf shumë [për fëmijë], por me traumën që kam pasur, e kam ende, kam pak frikë. Unë dëshiroj të jetë martesa e fundit se s'më pëlqen të martohem 10 herë."
