
Nëse gjatë fundjavës nuk ke ndonjë plan/ose do ta anulosh atë që ke, ne të sugjerojmë të rehatohesh dhe të marrësh "Vajza e postës", një roman që të sjell para syve historinë e Italisë dhe historinë e një gruaje që me zërin e saj, kumboi mbi shoqërinë.
Një guidë në romanin historik “Vajza e postës”
Nëse jeni fanatik i letrave të shkruara me dorë, si fillim duhet të kuptoni që këtu nuk bëhet fjalë vetëm për letra, por për një urë mes botëve, për sekrete që i besohen një jabanxhie, e cila bëhet pjesë e historive të të gjithëve. Një udhëtim në kujtesën e vetë Italisë, i treguar përmes syve të një heroine që nuk mund të mos e duash.
Salento, qershor, 1934. Në Licanelo, një qytezë me vetëm disa mijëra frymë, një makinë ndalet në sheshin kryesor. Prej saj zbret një çift: ai, Karloja, bir jugu, është i lumtur që rikthehet në vendlindje; ajo, Ana, e shoqja, është e bukur si një statujë e lashtë greke, por e veshur me trishtim. Ç’jetë e pret në tokë të huaj?
Për tridhjetë vjet që prej asaj dite, Ana do të njihet në qytezë si “jabanxhia”, ajo që erdhi nga veriu, ajo tjetra, ajo që nuk shkon në kishë dhe që t’i thotë gjërat troç, në sy. Por Ana, guximtare, nuk do të përulet para ligjeve të pashkruara brenda të cilave janë burgosur vajzat dhe gratë e jugut. Këtë do ta arrijë edhe falë ndihmës dhe dashurisë së të shoqit, që, për fat të keq, do të jetë e qartë edhe për Antonion, vëllain e tij, i cili bie në dashuri me shikim të parë me Anën.
Në vitin 1935, Ana bën diçka revolucionare: sfidon paragjykimet dhe frikën, duke u bërë postierja e parë e Licanelos. Askush nuk beson se ajo punë do të zgjasë, por ja që për njëzet vitet në vazhdim Ana do të jetë filli që lidh banorët e qytezës, ajo që çon letrat e djemve nga fronti, kartolinat e të ikurve dhe letrat e të dashuruarve sekretë. Pa dashur, por, mbi të gjitha, pa dashur askush në qytezë, postierja do të ndryshojë shumë jetë.
Romani ndërtohet si një kumtesë për gratë që guxuan të dalin jashtë kornizave tradicionale, për fuqinë e dashurisë dhe për dinjitetin e ruajtur edhe mes varfërisë e diskriminimit. Ana, një grua e fortë dhe e brishtë njëkohësisht, përfaqëson betejën e përhershme të grave për të gjetur vendin e tyre në një shoqëri, që shpesh i shikon me sy kritik.
Këtu do ta gjejnë veten të gjithë stoikët e letërsisë dhe do të aspirojnë romancën e ëndrrave: një burrë dhe një grua, që komunikojnë me njëri-tjetrin nëpërmjet librave që lexojnë, pasazheve dhe vijëzimeve që shkëpusin prej tyre. Një varg i gjatë titujsh të letërsisë klasike dhe moderne, që shtjellon gjerë e gjatë nga ata të dy.
Proza e Francesca Giannone-s është e butë dhe plot muzikalitet, por njëkohësisht e mbushur me tension dhe emocione të mëdha. Përshkrimet e saj të Salentos janë plot dritë, aromë ullinjsh, vere dhe deti, por në të njëjtën kohë mbartin hije të varfërisë, paragjykimeve dhe përçarjeve shoqërore. Lexuesi udhëton mes historive të dashurisë, humbjes dhe rezistencës, duke zbuluar se si një grua e vetme mund të ndryshojë jetën e të tjerëve thjesht duke qenë aty, duke sjellë një letër, një lajm, një shpresë.
Pak fjalë për autoren
Francesca Giannone është autore italiane që fitoi zemrat e lexuesve me romanin e saj debutues “Vajza e postës”, një sukses i menjëhershëm në Itali dhe më gjerë. Stili i saj përzihet mes ndjeshmërisë së hollë dhe fuqisë rrëfyese, duke shtjelluar personazhe që mbeten gjatë në kujtesë. Përmes veprës së saj, i jep zë grave të zakonshme që, në heshtje, mbajnë mbi supe barrën e një historie të tërë.
Pasazhe nga libri
1) Pastaj pyeti veten a e kishte lexuar ai letrën. “Dërgoja xhaxhait tënd, sapo të ndahem nga jeta”, - i kishte thënë e ëma dhe i kishte dorëzuar një zarf të bardhë, të mbyllur. Që pas asaj nate të nëntë viteve të shkuara, Ana dhe Antonioja nuk kishin folur më me njërin-tjetrin. Sa e paepur mund të jetë dashuria që i lë vendin urrejtjes?
2) Është një roman mizor dhe argëtues në të njëjtën kohë. Dua shumë që të di mendimin tënd, - i kishte thënë ai. Ishte tejet i dhënë pas shkrimtarëve rusë... Një herë, Ana e kishte pyetur se përse i pëlqenin aq shumë dhe Antonioja ishte përgjigjur se, sipas tij, ishin më të zotët jo vetëm në rrëfimin e vuajtjeve njerëzore, por edhe në shprehjen e dhembshurisë. - Të bëjnë të mos ndihesh fajtor, vetëm njeri, - kishte shtuar ai.
3) Të kujtohet romani që po lexoja në Galipoli? Besoj se ishte vera e vitit 1937, kur i kaluam pushimet të gjithë së bashku në atë vilëzën e këndshme që Karloja kishte marrë me qira. Romani ishte “Afritë përzgjedhëse” i Gëtes. Më kishte ngjallur kureshtje për shkak të pyetjes që shtronte, e cila ishte po ajo që i kisha shtruar edhe vetes: çfarë i ndodh një çifti elementesh nëse hyn në mes një i tretë? Edhe asokohe, siç kam bërë ngaherë, shpresoja ta gjeja përgjigjen te një libër. Po nuk ndodhi ashtu.
4) Ti e di që unë i paragjykoj burrat që besojnë se e dinë se çfarë mendon e ndien një grua dhe janë të bindur se dinë ta rrëfejnë.