Mbrëmja finale e Këngës Magjike 2015 ka kurorëzuar si fituese Aurela Gaçen për të 2-tin vit radhazi. Balada ‘Akoma jo’, i ka dhuruar këngëtares triumfin përsëri, pas fitores në vitin 2014 me këngën ‘Pa kontroll’, në bashkëpunim me Young Zerka-n. Në këtë mbrëmje finale gjithashtu janë shpërndarë shumë çmime në kategori të ndryshme, si Çmimi i internetit (Flori Mumajesi), Çmimi i Diskografisë (Stine), Çmimi i Kritikës (Albërie Hadërgjonaj), Vokali më i mirë (Jualiana Pasha), Kantautori më i Mirë (Endri Prifti), etj.
Nën drejtimin e producentit Ardit Gjebrea dhe bashkë-prezantueses Almeda Abazi, me skenar të Dalina Buzit, fituesit kanë marrë trofetë dhe kanë interpretuar live këngët e tyre në skenën e Pallatit të Kongreseve. Audioja është kuruar nga mjeshtri italian Emanuele Donnini, ndërsa mjeshtri i fotografisë Giuseppe Quini është kujdesur për lojën e kamerave. Koncepti i skenës së Pallatit të Komgreseve i është besuar përsëri mjeshtrit të Sanremos, Gaetano Castelli.
Mbrëmja ka qenë e mbushur me të ftuar dhe surpriza. Prezantuesja e këtij viti, Almeda Abazi ka kërcyer dhe ka kënduar ‘Sway’ në versionin e Michael Buble. Në vitin 2013 ajo ka marrë pjesë në spektaklin ‘Dancing With the Stars’ të Turqisë duke dalë e 3-a, por nuk e kishim parë duke kënduar më parë. Një e ftuar speciale ka qenë Klaudia Pepa, e cila ka interpretuar një kërcim në skenën e Këngës Magjike, në të cilën është ngjitur për shumë vite me radhë si pjesë e trupës së baletit. Balerina shqiptare që ka një kontratë me ‘Amici’ si pjesë e balerinëve profesionistë është shkëputur për pak kohë nga angazhimet në Itali për të qenë e pranishme në Kënga Magjike. Iluzionisti italian Ottavio Belli ka mahnitur sallën me truket e tij speciale në natën finale të Këngës Magjike. 15-vjeçari me famë ndërkombëtare, Omar Arnaout ka interpretuar këngët që e kanë bërë të sukseshëm, dhe ka treguar se ka origjinë shqiptare. Ai ka ndezur sallën me hitin e tij ‘Beautiful life’ dhe me këngën ‘Buleria’, ndër interpretimet më të vlerësuara të tij në Next Star në Rumani, ku është shpallur fitues. Mbrëmja e 3-të e Këngës Magjike ka finalizuar një maratonë 3-mujore të prezantimit të këngëve pjesëmarrëse dhe 2 netë gjysëm-finale, në të cilat këngëtarët kanë kënduar live. Duartrokitjet dhe brohorimat kanë shoqëruar këngëtarët dhe të ftuarit përgjatë gjithë mbrëmjes.