
Të jesh e bukur, nuk do të thotë se ndihesh mirë me veten. Në të vërtetë, për shumë vajza të etiketuara si ‘të bukura’, bukuria është një mallkim. Besojeni ose jo.
Këtë mund ta dëshmojnë femrat më të njohura për talentin (po, talentin) dhe bukurinë e tyre në Hollywood. Ato të cilat marrin Oscar sepse mund të luajnë rolin e një femre-monstër (foto 2), megjithatë nuk është roli i tyre që do të mbetet në histori, por fustanet që veshin.
‘Është një presion shumë i madh’, thotë Halle Berry, 48 vjeç (foto 3), ‘Kur sheh se të gjithë e bëjnë, ke momente kur mendon ‘Nëse do të mbijetosh në këtë biznes, duhet të bëj të njejtën gjë’. Është fjala për ndërhyrjet estetike. ‘Në Hollivud, të shtyjnë të bësh operacione siç të shtyjnë trafikantët të marrësh drogë’. Halle Berry thotë se për fat të mirë nuk ka rënë pre e këtij rrjeti, por nuk mund të thuhet e njejta gjë për Hunter Tyler. (foto 4) Nëse do të pyesnit një shqiptar të viteve ’90 se cila është femra më e bukur në botë, përgjigja do të ishte ‘Bija e Mahraxhait’, e cila më vonë u njoh si ylli i serailit ‘Beautiful’. ‘Hunter Tyler nuk është më BEAUTIFUL’, shkruajnë tani mediat, ndërsa njerëzit pyesin veten se përse një fytyrë aq e përsosur sa e saja duhej të ‘shkatërrohet’ me ndërhyrje. Duhet të ketë diçka që ta shpjegojë këtë, dhe në fakt, ka.
Psychology Today dhe BBC shkruajnë se njerëzit e bukur, sidomos femrat, janë në shumicën e rasteve të obsesionuar pas bukurisë së tyre. Kjo nënkupton se ato identifikohen me bukurinë, prezantohen me të dhe ia besojnë asaj arritjet më të rëndësishme të jetës. Një puçër për ne, njerëzit e zakonshëm, është diçka e bezdisshme; për njerëzit ‘e pikuar nga qielli’, është e papranueshme. Por të mos e ekzagjerojmë; natyrisht që ka njerëz të bukur të cilët ndihen mirë me veten e tyre. Por nuk para ndodh kështu kur je aktore, në Hollivud, dhe fytyra jote e bukur- ndoshta jo edhe aq për disa - shfaqet çdo ditë nëpër revista. Meg Ryan, Priscilla Presley apo Dolly Parton (foto 5,6,7) nuk kanë mundur t’i rezistojnë këtij presioni.
‘Frikërat dhe pasiguritë e të famshmëve janë më ekstreme sepse gjithçka e tyre është më ekstreme: bukuria, pasuria, jeta e tyre që zhvillohet e tëra përpara kamerave. Duke e shfaqur jetën e tyre publikisht, të famshmit ushqejnë dëshirën tonë për të pasur një objekt të cilin mund ta shajmë dhe ta kritikojmë’, shkruan prof. Dr. Seth Mayers për Psychology Today.
E njejta gjë ndodh edhe në Itali; Mediaset apo Rai nuk i lënë asgjë mangët Hollywood-it, ashtu sikurse publiku italian nuk është më pak mizor se të gjithë të tjerët. Ndryshe, përse do të duhej një modele e re si Nina Moric, të frynte buzët e saj natyralisht të mishta? (foto 8). Më vonë do të pendohej, por do të ishte tepër vonë. Po kështu, shënjestër e kritikave të italianëve për ndërhyrjet e saj, është edhe Eva Grimaldi (foto 9). Pothuajse të gjitha vajzat e ekraneve, italiane, amerikane apo shqiptare, kritikohen për operacione të kryera apo të hamendësuara, po aq sa kritikohen për ‘kilet e tepërta’, ‘pamjen prej anoreksikeje’ apo çfarëdolloj difekti tjetër njerëzor që mund të kenë. Por prej tyre, mesa duket, nuk pritet të jenë njerëz.
Qoftë për shkak të presionit të menaxherëve, mediave apo, për shkak se identifikohen me pamjen e jashtme, ‘klani i të bukurave të ekranit’ po përfaqëson gjithmonë e më shumë diçka të paprekshme, thuajse jashtëtokësore. Aq jashtëtokësore sa, sado të bukura të jenë apo të bëhen, janë gjithmonë një injeksion larg ideales.