Kinema & TV

Mbyllet votimi për çmimet Oscar; shokon filmi ‘Shok’

24 Shkurt 2016

Mbyllet votimi për çmimet Oscar; shokon filmi ‘Shok’

Votimet nga juria e Akademisë Oscar për filmat e nominuar për çmime janë mbyllur në 23 shkurt. Rezultatet do të bëhen publike vetëm gjatë mbrëmjes së 28 shkurtit, kur do të mbahet edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar në Dolby Theatre, Hollywood.

Për shumë media prestigjioze dhe artistë të kinemasë, ‘Shok’ ka arritur të shokojë, duke u përmendur disa herë si një favorit për të fituar në kategorinë e ‘Filmit më të mirë të shkurtër aksion’, ku është i nominuar së bashku me 4 filma të tjerë.

Që kur u shpallën të nominuarit e 12 kategorive e deri më tani, ka pasur një dinamikë kritikash, komentesh, recensionesh, përshtypjesh të dhëna për secilin nga filmat konkurrues. Duhet thënë se nominimi i produksionit kosovaro-britanik pati jehonë duke qenë i pari film që e çon Kosovën në Oscars. Ai është mbështetur nga artistët shqiptarë në Amerikë, duke veçuar aktoren Eliza Dushku, e cila ka bërë një fushatë të vërtetë për ‘Shok’ në rrjetet sociale.

Megjithatë, nuk kanë qenë vetëm shqiptarët ata që e kanë vlerësuar filmin kosovar nëpër botë. Edhe media të njohura, prestigjioze kanë shkruar për produksionin e Eshref Dyrmishit nën regjinë e Jamie Donoughue-s. Subjekti dhe personazhet janë frymëzuar nga fëmijëria e producentit dhe aktorit kosovar Eshref Dyrmishi gjatë luftës së Kosovës, siç ka treguar ai. ‘Shok’ vë në provë miqësinë e 2 djemve të vegjël në mes të shock-ut që krijuan serbët në Kosovë.

Regjisori britanik Jamie Donoughue ka treguar se ideja për këtë film ka lindur krejt rastësisht. Në 2010-ën, pas pezullimit të fluturimeve për shkak të resë vullkanike të Islandës, ai u detyrua të qëndronte në Kosovë, edhe 5 javë të tjera. Aty Donoughue pati mundësinë të njihej më shumë me vendin dhe kosovarët: ‘Njoha njerëz të mrekullueshëm gjatë asaj kohe, dhe ndjeva se duhej të bëja një film, që edhe më shumë njerëz të mësonin se çfarë kishte ndodhur atje gjatë luftës (Yahoo N.)

Pas nominimit për Oscar, Donoughue ka shkuar shumë më larg për t’a arritur këtë qëllim sesa ç’mund ta mendonim ne. Por ç’do të ndodhë në ndarjen e çmimeve Oscar? Mediat dhe organizimet e huaja kanë dhënë shumë shpresë për shqiptarët. Shfletoni galerinë për të lexuar përshtypjet, vlerësimet dhe parashikimet e tyre për ‘Shok’.