Anabel Dossier

'Mallkimi i fatlumit': Historia e shqiptarit tronditi Amerikën, nga miliarder në vrasës

26 Qershor 2016

'Mallkimi i fatlumit': Historia e shqiptarit tronditi Amerikën,

Amerikanët e njohin si Joe Rukaj, ose ndryshe shqiptari me fat që fitoi llotarinë prej 17 milionë dollarësh, por edhe si autorin e krimit makabër që la të vdekur ish-bashkëshorten shtatëzanë dhe vjehrrin e saj.

Rreth 20 vjet më parë, në 11 shtator 1996, shqiptari, emri i vërtetë i të cilit është Gjelosh Rukaj, u bë i njohur për shansin e madh që pati në fitimin e llotarisë së Nju Jorkut. Historia e shqiptarit që merrej me prona të patundshme, është kthyer në një frymëzim për serinë  e re të emisionit shumë të njohur amerikan “Your number’s up” (“E ke ti rradhën”). Stafi televiziv do i kthehet dhe njëherë, pas gati 20 vitesh, ndodhisë që tronditi të gjithë komunitetin shqiptar, dhe jo vetëm. Historia e tij tregohet shpesh nga ata që duan të provojnë se fitimi i llotarisë sjell fatkeqësira në jetën e njeriut. Edhe emisioni që njihet për analizën që u bën krimeve nuk i ka rezistuar dot tundimit për ta lidhur me llotarinë, duke e titulluar “Fortune’s Curse”. Llotaria i dha mundësinë Gjeloshit të rregullonte jetën për vete dhe për njerëzit e tij dhe pastaj të hidhte në erë gjithshka në një konflikt personal me ish të dashurën e tij, Rigaletta Nikc.

Pas pesë vitesh mosmarrëveshje me këtë të fundit, Rukaj shkoi në shtëpinë e saj i armatosur për të takuar vajzën, fryt i marrëdhënies së tyre të mëparshme. Mirëpo në një konflikt fizik, mbeti e vdekur Rigaletta, asokohe shtatëzanë, dhe vjehrri i saj. Gjelosh Rukaj u denua me 20 vjet burgim për vrasjen e Mark, ndërsa vrasja e Rigalettas u shpjegua se ndodhi për arsye vetëmbrojtjeje pasi kjo e fundit e kish gjuajtur e para me pistoletë Gjeloshin.

Historia e shqiptarit u ndoq nga të gjitha mediat e rëndësishme amerikane, të cilat zbuluan dhe që konflikti mund të ishte një planifkim i bashkëshortit aktual të Rigolettës, i cili nuk e duronte dot Rukajn. Tanimë që kanë kaluar rreth 20 vjet që nga ngjarja tronditëse, Gjelosh Rukaj pritet të përfundojë dënimin dhe të rifitojë lirinë  e tij.

Burimi: Illyriapress / Përgatiti: Ergisa Bejkollari