
Marka e famshme Dolce & Gabbana nuk ka butik të saj në Shqipëri. Për ta, si edhe për marka të tjera të linjës së parë, Shqipëria është shumë treg i vogël për t?u marrë në konsideratë. Vetëm një pjesë e vogël (çanta dhe këpucë) kanë arritur të vijnë në Tiranë.
Ata që duan të blejnë veshjet e kësaj marke duhet të udhëtojnë jashtë shtetit. Të tjerë gëzohen me cohërat që vijnë në dyqanet e tekstileve, apo me kopje të veshjeve origjinale. Megjithatë, kur sheh setin më të fundit fotografik të Endrit Mërtirit, të duket sikur Dolce & Gabbana qëndron më mirë në këtë vend, se kudo tjetër.
Modelja Oriola Marashi e veshur me një fustan-korse të zezë duket më etnike se vetë Bianca Balti (muza italiane e partnerëve Domenico Dolce dhe Stefanno Gabbana). E shpenguar, me pamje prej diveje, ajo mbizotëron fotografinë kryesore të setit. Themi kryesore, sepse jo vetëm që Mërtiri e ka veçuar si të preferuarën e tij, por vetë dizajneri i famshëm Stefano Gabbana, ka zgjedhur ta publikojë. Një foto e shkrepur në jug të Shqipërisë, i ka dhënë Gabbana-s më shumë likes (mbi 11000) se çdo foto tjetër e postuar në instagramin e tij, duke përfshirë edhe fotot e vetë fushatave të Dolce-s, apo foto të yjeve të mëdhenj të Hollivudit, që ekspozojnë veshjet e markës.
Mërtiri, i cili njihet për pasionin e tij për Dolce & Gabbana dhe njohjen që ka me Stefanon, e projektoi këtë set fotografik për vete. Mblodhi 8 modelë adultë dhe 4 fëmijë, mori me vete grimieren e tij të preferuar Suela Çangu, i kërkoi ndihmë në kombinime stilistes Miranda Dupi, siguroi të gjitha veshjet që i duheshin dhe u nis në jug, ku shpenzoi një ditë të tërë nga ora 6 e mëngjesit dhe deri në perëndim të diellit, duke krijuar këtë projekt personal të quajtur #Italiaislove
?E kisha projektuar këtë set prej kohësh, por u realizua sapo gjeta pak kohë të lirë. Doja të bëja diçka që më kënaqte, që më largonte përkohësisht nga rutina e fotografive të tjera.?- tregon Endrit Mërtiri në intervistën e dhënë për Anabel.al. Biseda vijon më tej:
Nuk është hera e parë që ti frymëzohesh nga stili i Dolce & Gabbana-s dhe jeta e jugut të Italisë. Çfarë të bën t?i qëndrosh vazhdimisht kësaj teme?
Mund të them se jam i fiksuar me mënyrën sesi ata e shijojnë jetën dhe sesi me gjëra të thjeshta, krijojnë një harmoni dhe një ?gëzim? në foto që vështirë të gjendet kur t?i mundohesh të sajosh. Disa modelë të veshur bukur që pozojnë të shpenguar, pak shalqi apo një pjatë spageti?Ky natyralitet më tërheq më shumë.
E quajte një projekt personal, por investimi në kohë duket që ka qënë i madh. Do ta ruash në arkivë, apo mendon që këto foto do të të promovojnë diku?
Unë nisem me dëshirën për të bërë diçka të bukur. Nuk planifikoj se ku do të më çojë kjo gjë apo një tjetër. Asnjëherë nuk i dihet. Marrim shembullin e fotove që realizova me Arminën. Ato foto përfunduan në faqen e Dolce & Gabbana-s si pjesë e fushatës së make-up-it ?D&G Woman loves makeup?. Por, fillimisht nuk ishin projektuar kështu.
Në shumicën e seteve të tua, ti punon pak a shumë me të njëjtat modele. Shohim shpesh Dorinën (Dorina Gegici), Elenën (Elena Lika), Oriolën (Oriola Marashin). Por këtë rradhë duket se vëmendja më e madhe ishte tek Oriola. Pse ajo?
Sepse ajo ka një sjellje natyrale prej dive, është dominuese në set dhe i shkon për shtat idesë finale. Çdokush vesh petkun e një personazhi gjatë fotografimit, por jo çdokush mund të spikasë, pasi nuk mjafton vetëm veshja. Janë vetë modelet që zgjedhin të marrin apo jo vëmendje.
Pavarësisht se nuk ka një butik në Shqipëri, duket se ka një interes shumë të madh këto dy vitet e fundit për fustanet e kësaj marke, ose për të realizuar (me qepje) veshje gati të njëjta. Madje shihet edhe tek dyqanet e tekstileve, që ?bestseller? janë cohërat me detaje të Dolce & Gabbanas. A mendon se ke edhe ti ?gisht? në gjithë këtë tërheqje të papritur ndaj markës italiane?
Tingëllon shumë bukur dhe ma kanë thënë edhe më parë këtë gjë. Unë do të ndihesha shumë i përkëdhelur nëse kjo do të ishte e vërtetë, sepse nuk ka gjë më të mirë se të jesh ambasador i një marke si Dolce & Gabbana që nxjerr në pah më të bukurën e asaj apo atij që e vesh. Stili i kësaj marke ka aftësinë për të të bërë të lumtur. Njësoj si ajo foto në breg të detit.
Dy vitet e kaluara, u vu re në Shqipëri një ?fiksim? me fustanet e zeza të dandellës të reklamuara nga Monica Bellucci. Këtë vit kanë zënë vend fustanet e fryra me animacione apo dizenjot me limona. Cilët mendon se do të jenë ?Bestsellerat? për vajzat shqiptare nga koleksioni i ?Dimër 2017??
Besoj se këtu do të shohim shumë fustane me filma vizatimorë dhe jam i sigurt që këpucët e Hirushes do të jenë një shpërthim!
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.