Historia Ime

Letër të dashurit të pamundur!

5 Maj 2014

Letër të dashurit të pamundur!

I dashur F,

Sot pothuajse nuk folëm fare dhe ndjej se së shpejti historisë sonë do t’i vijë fundi. Nuk jam e mërzitur, as e penduar por do të doja të më dëgjoje pak, ose ndoshta të më lexoje nëpërmjet këtyre rrjeshtave.

Prej kohësh kam dashur të të them se ndihem si e zënë në grackë në një lidhje pa fillim, por me një fund që dihej tashmë!

Ky është mendimi i parë që më trazon gjithmonë qetësinë që më falnin bisedat me ty pasi ti më thua shpesh “dëgjohemi përsëri, më duhet të lëviz”. Sa herë dua të të shkruaj unë e para, të të them me gjithë fuqinë time sa e vetmuar ndihem sa herë që ndërpriten ndoshta pa dëshirën tonë bisedat e gjata, të të them se së shpejti do të marr autobuzin për të ardhur tek ty, se ka kaluar shumë kohë që nga hera e fundit, ti ma ndërpret mendimin me atë frazën e urryer “ zemër më duhet të iki, po më thërrasin”. Sa herë dua të të them se jam e varur prej asaj melodie në messenger, por kjo melodi që më zgjon nga rutina në të cilën jam e zhytur pa ndonjë dëshirë, është po kaq e dëshiruar sa dhe e frikshme.

Në fakt deri në përsosmëri takimet tona kanë qënë kaq të befta, kaq të brishta dhe mbaronin kaq shpejt. Ndërsa vendin e tyre si me imponim e zënë orët e gjata të pritjes së asaj melodie. Nuk dua më të numëroj ditët deri në takimin e rradhës, ti më ke thënë të mos e bëj, të mos pres, të mos mendoj. Do të vish papritur, do të më falësh ato pak castet e shumëpritura dhe do të ikësh. Dhe pritja do të bëhet më e gjatë, më e padurueshme. Shpesh here kemi debatuar për gjëra të vogla, të kota, sa herë unë me kokëfortësi të kam folur për ndjenjat e mia, sa herë ti je trembur. Pastaj heshtje. Pastaj përsëri melodia në telefon.

Unë e di tashmë se ti nuk e pëlqen teprinë, se pas cdo shfaqjeje përmalli dhe mungese, ti do të thuash thjesht “ehhh, e di”. Dhe pastaj heshtje. Dhe mua do të më duhet të të tregoj se e përballoj, shpesh herë ftohtësinë tënde, se ti ma bën të ditur me gjeste dhe jo me fjalë, se sa here gjen mundësi gjithmonë kujtohesh për mua, sa herë gjen mundësinë me takon, se këto gjëra duhet t’i vlerësoj më tepër se fjalët. Por ja që ato të shkreta fjalë janë ferri dhe parajsa e cdo femre. Dhe unë jam një femër si gjithë të tjerat, nuk pres shumë por dëshiroj shumë, dëshiroj gjithë qenien tënde që nga dita e parë që jemi njohur, që nga momenti kur ti më rrëmbeve atë  puthje të vogël tek cepi i buzëve.

Shpesh më bie ndër mend takimi ynë i parë; mendja dhe ti ma kujtoni atë ndrojtje të vogël dhe më pas atë përqafim të gjatë, në kafene. Nuk e mbaj mend c’kishe menduar  pasi ishim ndarë nga kafeneja, mbase nuk të kam pyetur ndonjëherë, mbase dhe ti ke evituar të ma thuash.

 Pastaj pasoi një natë e gjatë, të shtrënguar dhe pa fjalë ti më mbajte në krahë gjithë natën, të vetmen natë në gjithë këto muaj. Pastaj lidhja jonë rrodhi pa shumë bujë, pa shumë premtime, pa të ardhme, por me gjithë të ardhmen që kemi përpara. Ndonjëherë përpiqem të kujtoj sa herë jemi takuar, shpesh dua të di se cfarë ke ndjerë ti pas cdo takimi, a je penduar, a e ke dëshiruar, por sa here që kam tentuar të të pyes përgjigjet ishin të vakëta, mjaftonte ajo fraza tjetër tipike e jojta “ nuk të mjaftoi që u takuam, që erdha “ .

Gjithmonë e kam urryer pasigurinë. Meshkujt që kanë hyrë në jetën time, më kanë shndërruar tashmë në pre të pasigurisë dhe boshllëkut për lidhjen që kisha krijuar me ta. Ata iknin e vinin si autobuzat në një stacion statik pa marrë parasysh se unë mund të lëndohesha, të prisja shumë dhe në të njëjtën kohë të mos prisja asgjë, por me ty është ndryshe, më ty e di të sigurt përfundimin. Dhe nuk më shqetëson kjo gjë. Shqetësohem më shumë nga prania jote se sa nga mungesa jote, kam mësuar të jetoj me mungesën tënde, me distancën kilometrike të qyteteve tona, të jetëve tona.

I dashur F., në ato pak herët që kam biseduar për ty me mikeshën time më të ngushtë, i kam thënë se sa ka ndryshuar jeta ime në ato pak muaj. Se sa më ka coroditur një njeri që as jetën e vet nuk e ka të tijën. Se sa i cmendur mund të jesh ti që sa herë të jepet mundësia, lë cdo gjë dhe rend pas meje. Se sa i afërt më është bërë tani një njeri i juaj dhe sa të largët janë bërë njerëzit që kam dashur dikur. Një ditë i kam thënë asaj se nuk e mendoj fundin, se atë e di, se në lidhje me të nuk bëj plane sic kam bërë me të tjerët, se një ditë ti do të ikësh ashtu sic ke ardhur, pa shumë zhurrmë, pa shumë premtime, pa shumë pritshmëri. Thjesht do të ikësh.

Nuk kam guxuar kurrë të të pyes së cfarë jemi ne, kujt i intereson, ty jo. Ti më ke thënë të mos mendoj asgjë, të mos bëj plane, të mos pres asgjë, kështu mungesa jote do të jetë më e vogël dhe malli nga largësia nuk do të ndihet. Por pasiguria me të cilën jam mësuar tashmë më ka bërë gjithmonë të pyes, të analizoj.

 

Vecanërisht këtë të fundit ma kujton shpesh dhe ti “o zot sa i analizon gjërat”. Duket sikur tani preokupohem më shumë për besdisjen tënde se sa për dëshirat e mia. “Lovers,  kjo i përshtatet më së miri lidhjes suaj” – më kishte thënë një ditë tjetër mikesha ime, - “mos u përpiq më të kuptoni se c’jeni, thjesht shijo momentin që ti dhe ai keni zgjedhur së bashku. Atij i pëlqen dhe ti thjesht ndiqe si një bashkëudhëtare”

Por kështu je ti, i paparashikueshëm, enigmatik, i cmendur deri në detaje. Këtë e kuptova kur ndërsa si të gjitha femrat bëja plane për takimin e rradhës, një natë ti ia behe tek dera e apartamentit tim, më shtrëngove fort pas vetes, më fale një puthje të gjatë, ato momentet e shumëpritura dhe ike. Të nesermen më shumë e dyshuar të pyeta nëse kishe ardhur vërtetë apo kisha parë endërr, se të kisha pritur me padurim kaq javë ndërsa erdhe papritur dhe ti me një buzëqeshje të shoqëruar me atë mbylljen tipike të syve, m’u përgjigje thjesht “e di, kështu jam unë, duhet të mësohesh me të papriturat”.

Shpesh herë në momentet e gjata të pritjes së asaj melodie në celular, kam pyetur veten se pse të kam njohur, pse të kam lënë të më njihje, pse e kemi filluar historinë tonë. Të njëjtën gjë më kishe pyetur dhe ti në fillim. Dhe gati si me krenari të jam përgjigjur se më je dukur i vecantë, ekzotik, i paaritshëm. Ndonjëherë të kam thënë se e kam nisur ashtu kot, për të mbushur vetminë e gjatë që më kishte shkaktuar ndarja nga i dashuri, nga ai fatkeq, i cili pasi më kishte premtuar se do të më bënte femrën më të lumtur në botë, më kishte braktisur. Por asnjëherë nuk të kam pohuar se atë vetmi e kam mbushur me një vetmi akoma më të madhe, jo e shkaktuar prej teje por prej asaj melodie të shumëpritur në messenger.  

Por unë që në fillim e dija se jeta jote nuk të përket ty, as mua, se jeta jote i përket dikujt tjetër, të cilën pa dyshim nuk do donin t’a lëdonim. Por cfarë po bëjmë në fakt? Pse po luajmë kaq egërsisht me ato momentet tona që mua po më mundojnë? Ti nuk je i lirë dhe unë nuk doja të isha më ajo tjetra.

Dhe pasi ai fund i sigurt të vijë, unë thjesht do të doja të të puthja për të fundit herë dhe të të thoja “ të lutem mos më harro”!

E jotja,
Jona