Para pak orësh në Stokholm të Suedisë një sulm terrorist u mori jetën të paktën pesë njerëzve, duke lënë të plagosur edhe dhjetëra të tjerë. Një kamion hyri në mes të njerëzve në qendër të qytetit, i drejtuar nga terroristë që qëlluan me armë zjarri dhe therën kalimtarët. Ngjarja e rëndë ndodhi në Ahlens, një qendër e madhe tregtare në Klarabergsgatan.

Aty pranë ishte duke kaluar edhe Sadije Berisha, e cila jeton prej vitesh në Suedi me fëmijët. Ajo mundi të hynte në shtëpi shëndoshë e mirë, edhe pse e tronditur ndërsa kudo rrotull dëgjoheshin ende të shtëna me armë, kamionët e policisë, helikopterë dhe ambulanca.
Përmes një statusi në Facebook, Sadije Berisha si edhe shumë shqiptarë që jetojnë në Stokholm i siguron miqtë dhe të afërmit se ajo dhe fëmijët janë mirë.
“Më në fund, jemi plotësisht të sigurtë!
Është çmenduri jashtë!
Të shtëna me armë, ambulanca, forcat speciale të policisë dhe helikopterë.”
Vetëm dy ditë më parë, me nisjen e bombardimit në Siri, Sadija i kushtoi një status ku shprehej e tmerruar nga lufta që po u merr jetën miliona njerëzve, dhe shkruan se ndihet e pafuqishme pa mundur të bëjë asgjë.
“Siri, a do të marrë ndonjëherë fund gjithë kjo çmenduri? Dhe gjithçka bëjmë ne është të shikojmë. Të paralizuar nga tmerri dhe frika.”