Për mendimin tonë

5 fjalët magjike që përdor çdo shqiptar kur do të duket si filozof

5 Shtator 2017

5 fjalët magjike që përdor çdo shqiptar kur do të

Nuk janë fjalë të mëdha, as të reja, as të padëgjuara. Por tingëllimi që kanë, apo fakti se burojnë nga greqishtja e lashtë ose latinishtja, i bëjnë të duken kaq intelektuale.

S’po flasim për fjalët e përhershme të mëdha që përdorim rëndom; janë ato, të kulluarat, fjalët që të bëjnë të dukesh filozof që e kalon tërë ditën mbi libra.

Besoj e dini ku e kemi fjalën.

Katarsis

Kjo fjalë që vjen nga greqishtja e lashtë dhe ka kuptimin e pastrimit të shpirtit, gjen vend e përdoret në çfarëdolloj konteksti. Përshembull: “Të shash me fjalë të ndyra është katarsis”- kur justifikojmë veten për fjalorin në përditshmëri; “Këto zgjedhje ishin një katarsis për partinë filan.”- nëpër opinione politike, ose: “Burri e rreh gruan për katarsis”- në debatet antropologjiko-sociale.

Deja Vu

Edhe kjo është një e preferuar në shumë situata. Deja Vu vjen nga frengjishtja dhe ka kuptimin e diçkaje që e ke përjetuar edhe më parë, qoftë ndjesi, qoftë pamje apo çfarëdolloj përvoje tjetër shqisore. Për të mos u bërë më filozofë; Deja Vu është përshembull sa herë hipim në autobus dhe na kalon përballë i njëjti njeri me të njëjtën sqetull të djersitur si një ditë më parë. Kjo fjalë përdoret në shumë raste kur duam të ngjajmë filozofikë, përshembull: “Kur të takova për herë të parë, m’u duk si Deja Vu”- kur do t’i biesh nga Kina për t’ia lypur, ose: “Më fal, se pata një moment Deja Vu-je”, kur ndalon në mes të rrugës pa ndonjë arsye.

Karma

5 fjalët magjike që përdor çdo shqiptar kur do të

Ne jemi mësuar që me fjalën karma të nënkuptojmë pasojat e këqija të një veprimi jo të drejtë që kemi bërë të kaluarën. Përshembull: kur na lë i dashuri pasi kemi lënë ish-të dashurin themi se është karma. Gjithashtu Flori Mumajesi tek kënga e tij “Karma” i thotë njeriut që do: “Tu eres mi karma”, pra i thotë se është ajo që meriton. Por në fakt karma, një prej koncepteve më të rëndësishme të budizmit nuk është vetëm pasoja, por në tërësi i gjithë procesi i marrjes së një vendimi dhe rrjedhojat që ka ai. E përdorim gabim, megjithatë s’mund ta mohojmë se çdo gjë në jetë na duket e shpjegueshme përmes karmës dhe na shijon shumë kur dikush flet keq, rrëzohet dhe themi: “karma is a bitch”.

Kasta

“Lufta e klasave” është zëvendësuar me “luftën e kastave”. Kastat janë kthyer në fiksimin e argumenteve ekonomiko-shoqërore, për të nënkuptuar një shoqëri me shtresa të ngurtësuara shoqërore dhe deri në njëfarë pike, nuk kanë faj. Megjithatë, kur analistët në “Opinion”, “Top Story” apo emisione të tjerë i dëgjon duke thënë “kastë” këtu e “kastë” atje, të krijon një lloj ankthi. Sikur jeta jote në këtë vend është e barabartë me atë të një milingone që i nënshtrohet kolonisë, sikur s’ia vlen të ngrihesh për të punuar në mëngjes sepse prapëseprapë, mbetesh tek kasta e “popullit të thjeshtë”, sikur kot e ha edhe atë copë bukë dhe kot merr frymë. Pastaj, pasi shikon gjysmën e njerëzve në kafene, të kujtohet se milingonat punojnë dhe punojnë “si qeni!”

Penetroj- penetrim- i papenetrueshëm

5 fjalët magjike që përdor çdo shqiptar kur do të

Ka diçka kjo fjala “penetrim”. Kur e thua, të duket vetja sikur e penetron me të vërtetë tjetrin, dhe tjetrit me shumë gjasë i duket vetja e penetruar. Ndryshe, si shpjegohet që përdoret kaq shumë? Të thuash “depërtoj” është një gjë, por të thuash “penetroj” i ke thënë të gjitha, e ke çuar procesin e futjes në një nivel krejt tjetër. Një shembull tipik është: “U përpoqa të penetroja në mendjen e tij, por ai ishte i papenetrueshëm.”

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.