Kevin Spacey i humbi të gjitha pas akuzave për ngacmim seksual ndaj aktorit Anthony Rapp, kur ky ishte 14 vjeç.
Aktori i famshëm për filma si: “American Beauty”; “Seven”; “The negotiator” e shumë të tjerë, u pezullua nga Netflix, kompania me të cilën bashkëpunonte prej vitesh për serialin e suksesshëm “House of Cards”.
Spacey i kërkoi falje aktorit duke thënë se “nuk e mban mend” incidentin, por do të ndiqej nga akuzat e 8 pjestarëve të tjerë të produksionit të “House of Cards” që thanë se gjithashtu janë ngacmuar seksualisht prej tij.
Përveç serialit, Netflix anuloi edhe publikimin e një filmi ku luan Spacey. Në një deklaratë për shtyp, kompania njoftoi se ka vendosur të ndërpresë lidhjet me aktorin, ndërsa vendoset se ç’do të ndodhë me serialin.
“Netflix nuk do të jetë më i përfshirë në produksionin e “House of Cards” ku është edhe Kevin Spacey. Ne do të vazhdojmë të punojmë me MRC (kompania e produksionit Media Rights Capital) gjatë kësaj periudhe pushimi për të vlerësuar drejtimin që do të merret lidhur me serialin.
Gjithashtu, kemi vendosur se nuk do të vijojmë me publikimin e “gore”, i cili ishte në post-produksion, ku Spacey është aktor dhe producent.”
Më parë, Netflix njoftoi përfundimin e “House of Cards” në mbyllje të sezonit të gjashtë, pas akuzave nga ana e Anthony Rapp.
Burimi: “The Guardian”