“Luli & Goni i Lemes” është komedia e radhës “Made in Albania” që shfaqet në kinema, në vazhdën e prodhimeve kinematografike shqiptare, e cila, për fat të mirë është gjithnjë e më shumë në rritje. Si përherë, shkova në Cineplexx dhe u ula në rreshtat e parë, për ta shijuar pa ndonjë pritshmëri të madhe.
Megjithatë, mund të them që më surprizoi. Subjekti i filmit na rrëfen historinë e Gonit (Deivis Myslymi), djalit të Lemerisë (Lemes, rol i luajtur nga Aurela Gaçe), të cilët kanë një marrëdhënie (jo)tipike shqiptare: Lemja, një grua “e hurit dhe litarit”, e cila do t’i gjejë djalit një vajzë të virgjër. Ata kthehen nga Londra për të parë në një fshat në Vlorë vajzën dhe rrugës, i ndodhin pafund të papritura.
Kujdes! Para se të vijosh, ky artikull përmban spoliers.
Që në aeroport, ata të dy përballen me Lulin (Margent Caushi), i cili u shpjegon se ka një hall shumë të madh: Po i ndërron jetë Miçoja dhe duhet ta marrin patjetër te makina që kanë marrë me qira. Pas 100 fjalësh dhe diskutimesh të tejzgjatura, më në fund, ai i bashkohet rrugëtimit të Gonit dhe Lemes.
Elementi më i rëndësishëm i udhëtimit është një valixhe e kuqe, të cilën Luli e hedh në një lumë. Ai e mori shumë seriozisht shprehjen “hidhe mbrapa” dhe papritur, Goni dhe Lemja e gjejnë veten pa asnjë qindarkë. Pjesën më të madhe të udhëtimit, Goni është tejet i nxehur me budallallëqet e Lulit, i cili me thënë të drejtën, i jep shumë lezet filmit.
Ai, me qëndrimin naiv dhe shprehjen “Po ça bëra unë?”, mund ta acarojë Gonin, por t’i falë shumë të qeshura publikut. Meqë jemi te batutat, ato janë të lezetshme, por edhe shumë të pritshme. Në shumë raste, mund ta parashikosh se çfarë do të pasojë dhe kjo e bën që filmi ta humbë pak elementin e surprizës kur vjen puna te humori dhe shakaja.
View this post on Instagram
Rrugës për në Vlorë, pas 1001 surprizash të hidhura (nuk po zgjatem shumë këtu pasi nuk dua që t’ju bëj kaq shumë spoilers), ata takojnë Sarën (Fjoralba Ponari), me të cilën, Goni bie direkt në dashuri. Sara ka një histori të trishtë: Ajo është keqtrajtuar nga ish-i fejuari emigrant dhe më në fund, ka vendosur t’i marrë në dorë frerët e jetës.
Këtu kemi një cen të vogël: Personazhi i Sarës nuk lidhet shumë me historinë e saj të vuajtur. Sara, në këtë rast, si një vajzë që s’ka parë shumë gjëra në jetë, madje as detin, është e artikuluar, flirton, është guximtare dhe bën humor të zi me ngjarjet e jetës së saj, por i thotë paksa në mënyrë melankolike. Nëse e keni parë (ose edhe kur ta shihni filmin do e kuptoni se ç’po them).
Të dy, si Sara dhe Goni e pëlqejnë njëri-tjetrin, por këtu hyn në skenë dëshira e Gonit për t’i bërë qejfin Lemes, e cila do një nuse “të paprekur”. Po, është paksa skenar i përsëritur dhe në shumë raste, edhe shumë i bastarduar. Lemja i ka thënë Merushes (Rita Latit), të motrës që t'i gjejë nusen dhe ajo ia ruan si sytë e ballit.
Ndërkohë që shikimet e të rinjve përplasen, ata dukshëm e kanë qejf njëri-tjetrin, shfaqet valixhja dhe një tip i panjohur, i cili e ka gjetur dhe e di se brenda janë gjithë kursimet e Gonit dhe Lemes. Ai përfundon në një club dhe Sara, Goni, Lemja dhe Luli e ndjekin. Ata maskohen, bëjnë qejf, Luli dashurohet me striptisten Samantha (Arjola Demiri) dhe pasi ia nxin prapë jetën Gonit, i jep edhe një leksion se sa e rëndësishme është të ndjekë zemrën dhe ta marrë nusen për veten, jo për Lemen.
View this post on Instagram
Luli e nxit që t’ia shprehë Sarës ndjesitë e vërteta, por Goni shpërthen duke thënë se tanimë Sara është e divorcuar dhe ai s’ka se si t’ia çojë Lemes në shtëpi një grua të ndarë. Sara e dëgjon, qan dhe del nga skena.
Më tej, ata takojnë vajzën e virgjër, Belën, për të cilën janë rreshtuar disa kandidatë, mes tyre edhe hajduti i valixhes. Ndërsa Goni dhe ai përplasen, Luli vjedh valixhen dhe ata largohen nga fshati. Luli, këtë herë e ndihmon Gonin dhe ai takon Sarën, e cila sërish qan dhe ata lidhen. Pas 3 muajsh pa Lemen, ata shfaqen në aeroport dhe do ikin në Londër. Gjatë një debati për feminizmin dhe rëndësinë e gruas, shohim se Lemja vijon ta ndjekë të birin, por nuk ndërmerr asnjë hap që ta ndalojë në jetën e tij.
Çfarë më pëlqeu në film?
Vija logjike – Duke marrë parasysh që në filmat e mëparshëm të këtij zhaneri nuk kanë pasur një vijë të mirëfilltë logjike dhe janë hapërdarë pak, mund të them se “Luli dhe Goni Lemes” ndjek një vijë logjike që nuk të lodh dhe bën sens. Pra, ti s’e humbet gjatë rrugës se çfarë ndodhi, as nuk ka kapërcime zhaneri që shkaktojnë konfuzion.
Batutat – Në përgjithësi, edhe pse në ca raste ishin të pritshme, batutat ishin të lezetshme dhe i përshtateshin shumë mirë skenarit. Zakonisht, në prodhimet e mëparshme kam vënë re se batutat i shtohen skenave si shtojca sepse i kanë pëlqyer skenaristit/producentit, duke e bërë të palogjikshme lidhjen me skenarin. Në këtë rast, gjestikulacionet dhe shakatë ishin në përshtatje me gjithçka ndodhte.
Kimia e personazheve – Kimia e personazheve ishte fantastike dhe më pëlqeu shumë. Goni dhe Luli ishin bërë për njëri-tjetrin. Luli, naiv, por edhe “shejtan budalla”; Goni, zemërmirë, por pak impulsiv i mbajtën “ison” njëri-tjetrit gjatë gjithë filmit, duke u bërë personazhe interesante dhe duke krijuar situata komike.
View this post on Instagram
Aktrimi i Aurela Gaçes – Në fakt, për mua ishte surprizë. Aurela, në rolin e Lemerisë, ishte e kundërta e lemerisë! E këndshme, një grua labe “99-çe” me humorin në majë të gjuhës, Aurela ishte një element shumë i rëndësishëm i filmit, duke e mbajtur një peshë të madhe të skenarit. Do të doja ta shihja Aurelën në të tjera komedi, pasi është vërtet një aktore e mirë.
Situatat kaotike – Luli gjatë gjithë filmit flet për Miçon, i cili na del se ishte një qen. Kur shkon në fshat, përballet me një varrim dhe mendon se ka ngordhur Miçoja. Ai bën një fjalim të gjatë ku tregon se si “ai e lëpinte natën në krevat”, skandalizon plakat e fshatit dhe merr vesh se në fakt, i ka ndërruar jetë i ati. Mes njerëzve që mendojnë se i ati i tij ka qenë një njeri i shthurur, Luli gëzon pafund që Miçoja është shëndoshë e mirë.
Situatat e papritura - Prezanca e Irini Qirjakos, parodistëve të Vlorës dhe Aleksandër Gjokës janë surpriza të papritura dhe të këndshme, të cilat më kapën pak të papërgatitur dhe m'i vodhën ca të qeshura. Megjithatë, kur ia marrin këngës për diku te 15 minuta, bëhen pak të bezdisshëm. :)
Fotografia – Ishte bërë një punë goxha e mirë. Paleta e ngjyrave nuk të lodhte sytë, përkundrazi, i bënte më tërheqëse skenat.
Çfarë nuk më pëlqeu?
Dialogu i stërgjatur – Në disa skena, dialogu merrej zvarrë dhe përfundonte aty ku të gjithë e prisnim, në fjalë krejtësisht të parashikueshme. Që në fillim të filmit, ku Luli i kërkon Gonit ta marrë në makinë, zgjatet kot një dialog mes halleve dhe problemeve. Më tej, vijon të ketë skena të tjera të ngjashme dhe si shikuese, e gjeta pak lodhës faktin që gjithë ai dialog, dilte në një përfundim mëse të pritshëm.
Skenat që dilnin nga hiçi – Në një fragment të filmit, Luli dhe Goni e gjejnë veten duke fjetur në një gomisteri. Aty, Luli i tregon se Miçoja ka qenë shoku më i mirë i tij, pasi i ka shpëtuar jetën dhe e ka bërë të ringrihet nga bullizmi dhe dhuna që ka pësuar në fëmijëri. Këtu, në mënyrë të papritur, Goni thotë se e ka vëlla, pas 100 sherresh dhe debatesh në makinë.
Muzika – Muzika i ishte besuar Aurela Gaçes, normalisht, por në njëfarë pike u bë e lodhshme dhe e përsëritur.
Marketingu – Kalojmë te një ndër problemet që e hasim përherë: Reklamimi i produkteve. Letrat e kuzhinës, facoletat, dronet që i kapnin hotelet nga të gjitha anët, banerat në rrugë dhe pamjet nga sipër, të gjitha dukeshin me kilometra larg që ishin një reklamë e pastër. Ende kemi punë për të bërë me vendosjen inteligjente të reklamave, por duhen marrë në konsideratë edhe kërkesat e sponsorve. Gjithsesi, mendoj se është paksa e tepruar që të jetë “blur” një sfond dhe kamera të shkojë “zoom” në një produkt. Një moment që cedoi shumë vendosja e produktit ishte një skenë ku Merushja bisedon me të bijën dhe në sfond shohim një mal me letra kuzhine.
Unë do e vlerësoj me 7/10 dhe si gjithnjë, ju inkurajoj të shihni sa më shumë filma shqiptarë. Siç inkurajoj edhe regjisorët, skenaristët e aktorët që kritikat të mos i marrin për ters, por të kuptojnë se janë qasje personale të shikuesit dhe pse jo, t’i marrin si një mënyrë për t’u përmirësuar.
- Ky artikull është një qëndrim personal, shkruar nga A. Shehu, redaktore kontribuese në Anabel Media.